AGK dënon thirrjen publike për masakrim të gazetarëve

0
218
Source/Author: Association of Journalists of Kosovo, Pristina, 13.12.2018
Source/Photo: Photo: Journalist Emir Hamzai

Prishtinë, 13 Janar 2019 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka pranuar me shqetësim lajmin se gazetari shqiptar nga Tetova, Emir Hamzai, ka bërë thirrje publike për masakrim të gazetarëve të portaleve Periskopi dhe Indeksonline në stilin e “Charlie Hebdo” që kishte ndodhur në Francë para disa vitesh.

Për AGK-në, gjuha e përdorur nga gazetari Hamzai është shumë e rrezikshme, e cila i kontribuon gjuhës së urrejtjes dhe përçarjes dhe si e tillë është e dënueshme meqë e cenon ashpër lirinë e shprehjes.

AGK kërkon nga gazetari në fjalë që të kërkoj falje publike dhe të distancohet nga kjo thirrje e tij. Po ashtu AGK kërkon nga Asociacioni i Gazetarëve në Maqedoni dhe institucionet tjera relevante të sigurisë që të merren me rastin.

Për Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës një gjuhë e tillë sidomos kur vije nga vetë gazetarët dëmton punën e secilit dhe duhet të dënohet.

AGK merr vesh se njëri prej pronarëve të mediumit të përmendur në statusin e gazetarit nga Tetova tashmë ka nisur të ndjek rrugën ligjore ndaj gazetarit në fjalë, pasi që për gjuhë është e papranueshme dhe dënohet kudo në botë.