Gazetari Agim Ademi ka pranuar kërcënime nga zyrtari komunal i Lipjanit përmes telefonit ku i ka kërkuar gazetarit që mos të merret me të.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) me shqetësim ka marrë njoftimin nga ish-shefi i kameramanëve të agjencisë së lajmeve “Ekonomia Online”, Meriton Dajakaj, se udhëheqësit e këtij mediumi i kanë mohuar atij të drejtën e shfrytëzimit të pauzës gjatë orarit të punës, me ç’rast, sipas tij, pronari i mediumit “Ekonomia Online”, e ka sharë dhe ka tentuar ta godasë atë.

Shefi i kabinetit të Ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Baton Dushi, e ka fyer gazetaren, Edona Kutleshi, në lidhje me publikimin e artikullit “Shefi i kabinetit të ministrit Bytyqi bën biznes me kafe në MASHT”, të publikuar më 06.11.2018, në gazetën “Koha Ditore”. Dushi me anë të një postimi në rrjetin social Facebook ka përdorur fjalë fyese në drejtim të gazetares Kutleshi duke e quajtur atë “përbindësh” dhe “jo profesionale”. “Më vie keq që jam bërë pre mediatike e një përbindëshi të tillë! Më vie keq që kemi një gazetare të tillë jo profesionale. Ajo, në vend që të jetë vërtetë investigative, mjerisht vie dhe bëhet hiq më pak se sa llum mediatik!” thuhet ndër të tjera në postimin e Dushit.

Gazetari, Shkumbin Kajtazi, ka pranuar një kërcënim nga Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri. Gazetari Kajtazi ka bërë të ditur se Bahtiri e ka marrë në telefon atë dhe i është drejtuar me fjalë kërcënuese dhe sharje. Kërcënimi ndaj gazetarit Kajtazi vjen pas publikimit të një artikulli të publikuar në gazetën “Metro”, ku tregohej për punësimin e një vajze në pozitën e shefes së kabinetit se kryetarit të Mitrovicës, Agim Bahtiri.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është njoftuar nga gazetari Valon Rashiti, që i njëjti është sulmuar rreth orës 19.00 te Qendra Klinike Universitare e Kosovës nga disa persona. Gazetari i televizionit T7, Valon Rashiti, ishte në hapësirat e QKUK-së, duke raportuar nga afër për një rast të plagosjes së dy personave i cili kishte ndodhur në orët e pasdites në Prishtinë, ku familjarët e njërit nga të plagosurit janë vërsulur në drejtim të gazetarit, Rashiti, me ç’rast e kanë goditur në kokë.

Gazetari Bujar Vitija ka thënë se të premten pasdite është kontaktuar nga Zenel Kuqi, zyrtar i Prokurimit në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar (SHSKUK), dhe ka kërkuar që të takohet me të por gazetari ka refuzuar. Vitija, kryeredaktor në portalin Gazeta Shneta, thotë se ai e kishte thirrur për shkak të një shkrimi të publikuar disa ditë më parë e që kishte të bënte me lirimin e Kuqit nga aktakuzat që e ngarkonin për dëmtim të buxhetit të shtetit. Pas refuzimit për takim, Vitija është kërcënuar nga Kuqi i cili e ka sharë dhe ofenduar, dhe i ka sugjeruar që ta lajmërojë policinë. “Lajmëroje policinë e mos humb kohë sa të ka mbetur”, kishte thënë Kuqi.

Gazetari Mentor Gjergjaj është kërcënuar verbalisht nga një qytetar në Gjakovë derisa ai ishte duke punuar në një temë.

Dardane Neziri ishte në gjykatë kur një burrë iu afrua dhe i tha që të ketë kujdes për gishtat e saj sepse do të ketë nevojë për to.

Redaktores së Radio Kosovës, Serbeze Haxhiajt për të dytën herë me radhë brenda muajit mars i është ngjyrosur vetura me ngjyrë të kuqe nga persona të panjohur. Gazetarja Haxhiaj ka njoftuar policinë e Kosovës lidhur me këto dy raste, të cilat ajo i cilëson si tendencë për ta frikësuar. Haxhiaj ka thënë se veprimet e tilla po ia shqetësojnë familjen e saj.

 

<