AGK dhe Inspektorati i Punës me nismë dy mujore për mbrojtjen e të drejtave të gazetarëve



PRISHTINË, 01.02.2019 – Kryetarja e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Gentiana Begolli Pustina gjatë ditës së sotme ka mbajtur një takim me Kryeinspektorin e Inspektoratit të Punës, Basri Ibrahimi.

Qëllimi i takimit ishte zyrtarizimi i nismës dy mujore, gjatë të cilës do të inspektohen të gjitha mediet në vend, përkatësisht do të monitorohen nga afër kushtet në të cilat punojnë gazetarët dhe punonjësit e tjerë medial sikurse edhe inspektimi i gjendjes së përgjithshme të të drejtave të tyre.

Kryetarja e AGK-së, gjatë takimit ka adresuar problemet me të cilat ata ballafaqohen gjatë punës nëpër redaksi, trajtimin që ata kanë në vendet e tyre të punës, me shkeljet që atyre u bëhen duke filluar nga mungesa e kontratave e deri tek oraret e tej zgjatura.

Begolli Pustina deklaroi se tani në AGK do të jetë funksionale një linjë e veçantë telefonike në të cilën gazetarët do të kenë mundësi t’i shprehin pakënaqësitë apo shkeljet që iu bëhen atyre në mediet ku punojnë.

“AGK shumë shpejtë do të vë në funksion një numër telefoni ku anëtarët e vet do të kenë mundësi të paraqesin të gjitha problemet dhe shkeljet që iu bëhen në vendin e punës. E rëndësishme është të thuhet se identiteti i tyre do të mbetet anonim” – u shpreh Begolli Pustina.

Ndërkaq, Kryeinspektori i Inspektoratit të Punës, Basri Ibrahimi, deklaroi se institucioni që ai përfaqëson do të intensifikojë edhe mëtej bashkëpunimin me AGK-në, në mënyrë që të eliminohen apo pakësohen shkeljet që bëhen ndaj punonjësve medial në vendet e tyre të punës.

Ibrahimi theksoi se mungesa e inspektorëve të punës po ua vështirëson qasjen në të gjitha mediet.

“Në vitin 2019 kemi paralajmëruar që do të ketë inspektime në të gjitha mediet dhe të dhënat nga të gjitha rastet do të bëhen publike, për hir të transparencës”, tha Ibrahimi.

Tutje Ibrahimi theksoi se në vitin 2016, 43 punëtor medial kanë qenë pa kontrata pune, ndërsa pushimin vjetor nga gjithsej 1896 punëtor medial, nuk e kanë shfrytëzuar 782 prej tyre.

Nga gazetarët  u kërkua që të jenë më këmbëngulës në realizimin e të drejtave të tyre, përkatësisht në paraqitjen e shkeljes së të drejtave të tyre, përkundër vështirësive që ata mund të hasin.

Kryeinspektori bëri të ditur se inspektimet në medie do të fillojnë nga e hëna e këtij muaji e do të zgjasin përgjatë tërë muajit shkurt e mars.


Photo: Association of Journalists of Kosovo, Pristina, 01.02.2019, ,