AGK kërkon siguri për gazetarët

AJK logo

PRISHTINË, 12/09/2018 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës shpreh shqetësim për rastet e raportuara të pengimit të kryerjes së detyrës nga gazetarët e Serbisë, respektivisht mediumeve në gjuhën serbe Insajderi, Deutsche Welle dhe Tanjug gjatë mbulimit të vizitës së Presidentit të Serbisë në Kosovë gjatë fundjavës së kaluar.

AGK ka kontakuar policinë e Kosovës e cila ka konfirmuar se pas marrjes së informatave nga terreni ka gjetur se një veturë me targa të Serbisë ishte parkuar në afërsi të vendit ku mbahej protesta në rrugën rajonale Mitrovicë-Skenderaj kundër vizitës së Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vucic. Policia ka theksuar se kishte marrë masat e nevojshme për të mënjanuar ndonjë incident dhe ka krijuar siguri për të gjithë, duke përfshirë dy gazetaret e Deustche Welle-s të cilët janë larguar nga vendi me përcjellje të policisë.

Të tri rastet nuk ishin denoncuar zyrtarisht në policinë e Kosovës.

AGK inkurajon të gjithë gazetarët që të raportojnë incidentet apo rastet kurdoherë që ata janë të kërcënuar apo sulmuar gjatë punës së tyre.

AGK kërkon po ashtu nga të gjitha autoritetet e vendit që të kontribuojnë në krijimin e një mjedisi më të sigurtë dhe të ndriçojnë këto raste të raportuara.


Association of Journalists of Kosovo , Pristina, 12/09/2018