AGK shpreh solidaritet me gazetarët maltezë dhe bën thirrje për ndriçimin e rastit të gazetares së vrarë, Daphne Caruana Galizia



PRISHTINË, 07.03.2019- Dje dhe sot, në Republikën e  Kosovës ka qëndruar ministri për punë të jashtme dhe promovim të tregtisë i Republikës së Maltës, Carmelo Abela.

Me rastin e vizitës së tij, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës shfrytëzon rastin të shpreh sërish  solidaritetin me gazetarët maltezë dhe bën thirrje, që shteti maltez dhe qeveria, pjesë e së cilës është z. Abela, të ndriçojë sa më parë rastin e vrasjes së gazetares hulumtuese, Daphne Caruana Galizia.

Gazetarja Daphne Caruna Galizia, është vrarë më 16 tetor 2017 nga një bombë e vënë në veturën e saj. Kanë kaluar 500 ditë nga vrasja e saj, ndërsa hetimet ndaj vrasëseve janë përcjellë me parregullsi. Akoma nuk është zbuluar kush e ka urdhëruar vrasjen. Kryeministri maltez, Joseph Muscat, vazhdon të refuzojë kërkesën e familjes për hetim publik.

AGK i bën thirrje ministrit Abela dhe kryeministrit Muscat të ndriçojnë rastin e vrasjes, të lejojnë hetimin publik të kërkuar nga familja dhe të mbrojnë gazetarët maltezë në të ardhmen.

Një ndër vlerat kryesore të Bashkimit Europian është e drejta e lirisë së shprehjes, siguria e gazetarëve dhe mbrojta e tyre. Vetëm kur gazetarët të jenë të sigurt në Maltë dhe të jetë ndriçuar rasti i Daphne Caruana Galizia, ministri Abela mund të thirret në respektimin e vlerave evropiane nga qeveria dhe shteti i Maltës.

Çdo sulm ndaj gazetarëve është një sulm ndaj interesit publik, demokracisë dhe të drejtave të të gjithë qytetarëve.


, ,