AGK reagon ndaj gjuhës së PDK-së drejtuar Gazetës Express

PDK - Faqja e Facebook

 

Prishtinë, 22.08.2019 – Sulmi i Partisë Demokratike të Kosovës ndaj Gazetës Express, për AGK është i papranueshëm. Thirrja publike “Mos u besoni lajmeve të rreme të Gazetës Express”, është ndërhyrje flagrante ndaj një mediumi.

Gjuha e këtij subjekti politik vazhdon të degradoj tutje, i cili sado që thotë se respekton mediet dhe lirinë e shprehjes, fton qytetarë që t’i marrin me rezervë lajmet e Gazetës Express, lajme të cilat i cilëson të rreme.

“Kjo web faqe tashmë një kohë është futur në këtë valle me mision të qartë të goditjes së PDK-së me një armiqësi të pakuptueshme. Prandaj u bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës t’i marrin me rezervë lajmet e Gazetës Express”, thuhet në komunikatën e PDK-së.

AGK përveç që shpreh shqetësimin e saj për këtë gjuhë  që përdoret ndaj medieve nga një subjekt politik i cili për vite me radhë është pjesë e pushtetit, vlerëson se ky është presion i drejtpërdrejtë në politikat redaktoriale dhe formë direkte e presionit publik.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, me 3 maj të këtij viti ka reaguar kur kreu i këtij subjekti politik Kadri Veseli, kishte telefonuar kryeredaktorin e të njëjtit medium, Gazeta Express, Leonard Kerquki.

AGK fton PDK që të distancohet nga kjo gjuhë e përdorur në këtë rast, e cila cenon integritetin profesional të gazetarëve.


AGK, Prishtina, 22/08/2019