Padia për shpifje e ish-kryetarit Asllanaj kundër mediumit bie poshtë

therandapost
TherandaPost logo

PRISHTINË, 15.01.2018 – Gjykata e Suharekës ka hedhur poshtë padinë që pati bërë ish-kryetari i Suharekës në 2015 kundër një portali lokal. Padia për shpifje e ish-kryetarit Sali Asllanajt ishte deponuar me më shumë se një muaj vonesë në gjykatë.

Më 2015, ish-kryetari i komunës së Suharekës, Sali Asllanaj ka paditur TherandaPost për shpifje dhe ka kërkuar dëshpërblim në vlerë prej 4.500 euro.

Padia ka të bëjë me një shkrim lidhur me Bibliotekën e Qytetit e cila nuk po hapej nga Komuna. Në artikull është publikuar një deklaratë e kryetarit Asllanaj i cili thoshte se biblioteka është e pajisur me inventar dhe do të hapej së shpejti.

“TherandaPost e verifikoi deklaratën e tij dhe nuk shihej askund inventar përkundrazi ajo u hap pas 8 muajve,” Brahim Thaqi, gazetar dhe redaktor në këtë portal, i tha AGK-së.

Asllanaj kishte bërë padinë më 5 nëntor 2015 në Gjykatën Themelore në Prizren, dega në Suharekë, ndërsa seanca e parë dhe e vetme u mbajt sot, pas më shumë se dy vite.

“Paditësi, për shpifjen e pretenduar është njoftuar me ditën e publikimit të shkrimit dhe kjo vërtetohet edhe nga vetë të cekurat në padi, kur i njëjti i është drejtuar tri ditë pas publikimit të shkrimit me kërkesë për korrigjimin të lajmit,” tha Qazim Hasanaj, avokati mbrojtës i portalit.

Më 28 dhjetor 2015, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës pat reaguar duke dënuar veprimin e Sali Asllanajt duke ua mohuar pjesëmarrjen në konferencën për shtyp të fundvitit.

Edhe më vonë AGK ka kuptuar nga gazetarët Brahim Thaqi dhe Uran Haxha nga Koha.net se nuk janë lejuar të percjellin konferencat e kryetarit Asllanaj.

“Ai vazhdimisht ka refuzuar të përgjigjet gjithmonë ndaj pyetjeve të gazetarëve tanë siq është e njohur edhe më parë,” tha Thaqi.

Në raportin e AGK-së për vitin 2017 është zbuluar se në Gjykatën Themelore të Prishtinës janë 59 padi për shpifje të dorëzuara nga zyrtarë shtetërorë, gjykatës dhe mediat që padisin njëra tjetrën.

Disa prej padive kanë filluar të hidhen poshtë pasi që paditësit nuk janë interesuar më tutje për procesimin e lëndës. Ka edhe prej padive që po e humbin kohën e paraparë ligjore për tu procesuar në gjykatë duke u vjetërsuar e gjuajtur poshtë.


Association of Journalist of Kosovo, Pristina, 15/01/2018