Gjykim të drejtë në Gjykatën e Apelit për Jovo Martinoviq

49393497_1176946509120636_3112883169611743232_n
Photo: Journalist Jovo Martinoviq

PODGORICË, 17.01.2019. – Platforma rajonale e Ballkanit Perëndimor për Avokimin e Lirisë së Medias dhe Sigurisë së Gazetarëve, që përfaqëson më shumë se 8000 anëtarë, i bën thirrje Gjykatës së Apelit të Malit të Zi të rishqyrtojë vendimin e shkallës së parë të Gjykatës së Lartë, me të cilin  shpalli fajtor gazetarin hulumtues Jovo Martinoviq, dy ditë më parë në Podgoricë.

Martinoviq u dënua me 18 muaj burg për veprën penale të krijimit të një organizate kriminale dhe prodhimit të paautorizuar, posedimit dhe trafikimit të drogave narkotike. Aktgjykimi është shkalla e parë me të drejtë ankimimi.  Martinoviqi kaloi 14 muaj në paraburgim dhe që nga janari i 2017 ai u lejua të mbrohej në liri. Nga momenti kur ai u arrestua, në tetor 2015, ai pretendon që është i pafajshëm dhe se me të akuzuarin e parë në këtë rast ka qenë në kontakt për arsye se kishte punuar në një film dokumentar për një televizion francez, i cili kishte vërtetuar këtë.

“Vendimi për rastin e Jovo Martinoviqit, për fat të keq, edhe njëherë tregoi se gjykatat malazeze nuk e kuptojnë natyrën e punës së gazetarisë dhe është e mundur që kjo është një nga arsyet pse Martinoviq është shpallur fajtor. Ajo që ne e konsiderojmë veçanërisht problematike në vendim,  është se gjyqtari ka deklaruar se Martinoviq ka përdorur njohuritë dhe aftësitë e tij të gazetarisë për t’i lidhur pjesëtarët e organizatës kriminale që merren me trafikun e drogës dhe më këtë ka vënë gazetarinë në shërbim të krimit, gjë që është e papranueshme. Meqenëse Prokuroria nuk ofroi dëshmi konkrete për ato që Martinoviq akuzohet, ne besojmë se vendimi i vetëm do të duhej të ishte lirimi nga akuzat”, tha kryetarja e Sindikatës së Medieve të Malit të Zi, Mariana Camaj.

Platforma Rajonale mbështet kërkesat e Sindikatës së Medieve të Malit të Zi për të siguruar që Martinoviq të trajtohet në mënyrë të drejtë në procesin e apelimit dhe u kërkon gjykatave malazeze të zbatojnë standardet më të larta të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut në lidhje me të drejtat e gazetarëve dhe lirisë së medias. Martinoviq, një gazetar i shpërblyer,  në gjithë punën e tij të gjertanishme ka treguar integritetin dhe njohuritë e tij në trajtimin e çështjeve të krimit të organizuar, korrupsionit dhe shkeljeve të të drejtave të njeriut, duke përfshirë krimet e luftës në Ballkanin Perëndimor.

Gjithashtu, Platforma Rajonale u bën thirrje autoriteteve gjyqësore të Malit të Zi që të përmbahen nga kriminalizimi i gazetarisë dhe profesionit të gazetarisë në të ardhmen. Gazetarët në Mal të Zi nuk mund të punojnë lirshëm, ndër të tjera, sepse këto organe të njëjta gjyqësore nuk janë në gjendje të zgjidhin as edhe një rast serioz të sulmeve ndaj gazetarëve dhe medieve.

Çdo sulm ndaj gazetarëve është sulmi mbi interesin publik, demokracinë dhe të drejtat e të gjithë qytetarëve.

Shkup – Beograd – Podgoricë – Prishtinë – Sarajevë – Zagreb, 18.01.2019

Shoqata e Gazetarëve të Bosnjës

Sindikata e Mediave të Malit të Zi

Shoqata e Gazetarëve Kroatë

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës

Asociacioni i Gazetarëve të Maqedonisë

Shoqata e Pavarur e Gazetarëve në Serbi

Platforma rajonale e Ballkanit Perëndimor  për avokimin e lirisë së medias dhe sigurisë së gazetarëve, Podgoricë, 18/01/2019


, ,