Kryetarja e AGK-së takon përfaqësuesit e KFOR-it

0
257
Source/Author: Association of Journalists of Kosovo
Source/Photo: Photo by AJK

PRISHTINË, 13.08.2018 – Kryetarja e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Gentiana Begolli – Pustina, ka pritur në takim zyrtarin për komunikim me medie të KFOR-it në Kosovë, Andrea Romoli, të cilin e ka njoftuar me funksionin dhe aktivitetin e AGK-së.

Kryetarja e AGK-së, ka theksuar rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet AGK-së dhe KFOR-it, duke vlerësuar kështu si të nevojshme mbajtjen e trajnimeve të ndryshme informuese nga ana e KFOR-it, që kanë të bëjë me fushën e sigurisë si dhe raportimin për integrimin e Kosovës në NATO.

Begolli – Pustina, ka kërkuar nga z. Romoli, që në të ardhmen KFOR-i i ndihmuar nga AGK-ja të dërgojnë grupe të gazetarëve në selinë e NATO-së në Bruksel, ku do të informoheshin më për së afërmi me punën dhe funksionin e kësaj organizate, informim ky që do të ndikonte në një raportim më profesional nga ana e gazetarëve në lidhje me proceset integruese të Kosovës në këtë mekanizëm të sigurisë ndërkombëtare.

Po ashtu, kryetarja së bashku me drejtorin ekzekutiv të AGK-së, e kanë njoftuar z. Andrea Romoli për aktivitetet të cilat është duke i zhvilluar organizata në mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të gazetarëve në Kosovë, si dhe i ngritën shqetësimet e tyre në lidhje me nismat ligjore të cilat kanë për synim kontrollimin e lirisë së shprehjes.

Ndërkaq, zyrtari për komunikim me medie i KFOR-it, Andrea Romoli, tha se gjatë javëve të fundit është takuar me gazetarë dhe medie të ndryshime ku edhe e ka kuptuar më mirë gjendjen e medieve në Kosovë. Ai tha se gjatë takimit me AGK-në, ka dashur të kuptojë më shumë se si funksionon organizata dhe cilat janë aktivitetet e saj.

Andrea Romoli shprehi gatishmërinë e tij që të punoj në ngritjen e bashkëpunimit mes  KFOR-it dhe Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës.