Platforma rajonale: Të sanksionohen urgjentisht sulmuesit e gazetares Mirjana Mircevska Jovanoviq



SHKUP, 24.01.2019 – Platforma rajonale e Ballkanit Perëndimor për avokimin e lirisë së medias dhe sigurisë së gazetarëve, që përfaqëson më shumë se 8,000 anëtarë, dënon ashpër sulmin fizik ndaj gazetares Mirjana Mircevska Jovanoviq. Ajo u sulmua nga anëtarë të agjencisë private të sigurisë “Nikob”, derisa po raportonte për kremtimin e “Vodicit” në Shkup, e cila u organizua nga Kisha Ortodokse e Maqedonisë.

Asociacioni i Gazetarëve të Maqedonisë reagoi për këtë rast dhe i kërkoi Ministrisë së Punëve të Brendshme që menjëherë të reagojë dhe të kryejë një hetim urgjent rreth incidentit duke identifikuar sulmuesin e gazetares dhe më pas të ngrejë padi penale në Prokurorinë Publike në Shkup, për të cilën duhet të fillohet një procedurë e përkatëse.

Presidenti i AGM-së, Mladen Çadikovski deklaroi: “Në këtë rast, Kisha Ortodokse Maqedonase ka përgjegjësinë më të madhe, që është të sigurojë një mjedis të sigurt për raportimin e gazetarëve, në mënyrë që të jenë në gjendje të bëjnë profesionalisht detyrat e tyre të gazetarisë. Në këtë incident ku kolegia Jovanoviq u plagos, sulmuesi nuk  është përgjegjësi i vetëm, por përgjegjësi bart edhe organizatori”.

Platforma Rajonale i bashkohet Asociacionit të  Gazetarëve të Maqedonisë dhe kërkesës urgjente  për autoritetet kompetente të Republikës së Maqedonisë për t’i dhënë këtij rasti prioritet. Ne u bëjmë thirrje atyre të zbatojnë me shpejtësi një hetim të detajuar, të dënojnë autorët dhe të provojnë angazhimin e tyre për sigurimin e ambientit të sigurt të punës për gazetarët.

Çdo sulm ndaj gazetarëve është një sulm ndaj interesit publik, demokracisë dhe të drejtave të të gjithë qytetarëve.

Shkup – Beograd – Podgoricë – Prishtinë – Sarajevë – Zagreb, 24.01.2019

 

Shkup, 24/01/2019


, ,