AGK nënshkruan Kartën mbi kushtet e punës së gazetarëve

0
258

PRISHTINË, 14.02.2019 –  Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës së bashku me 13 përfaqësues tjerë të organizatave të gazetarëve, partnerë të Federatës Evropiane të Gazetarëve si dhe udhëheqës të asociacioneve të gazetarëve nga Ballkani Perëndimor dhe Turqia, kanë nënshkruar  Kartën e EFJ-së mbi kushtet e punës së gazetarëve.

Karta e cila është një udhëzues për kushtet e punës, është nënshkruar më 12 shkurt 2019.

Karta është e hapur për nënshkrim për të gjitha organizatat e gazetarëve, kompanitë private apo publike të medias ose autoritetet që dëshirojnë të angazhohen për përmirësimin e kushteve të punës dhe përforcimin e të drejtave të punëtorëve të gazetarëve dhe punonjësve të medias në Evropë, për të luftuar kundër censurës dhe për të promovuar qasje të lirë në informacion dhe burime.

gulfem1-1

Karta përmban 10 nene, duke i përmbledhur parimet kryesore që ndikojnë në marrëdhëniet e punës ndërmjet gazetarëve, punëdhënësve të tyre dhe opinionit publik si përfitues përfundimtar të prodhimit të tyre. Karta gjithashtu formulon vlerat kryesore që autoritetet private apo publike, duke përfshirë institucionet e BE-së, duhet të respektojnë kur merren me gazetarët.

Ideja e Kartës është iniciuar në vitin 2018 në kuadrin e një projekti të financuar nga UNESCO-ja në BE, me titull “Ndërtimi i besimit në mediet në Evropën Juglindore dhe në Turqi”, që synon të forcojë lirinë e shprehjes, qasjen në informata, mediet e lira, të pavarura dhe pluraliste, duke siguruar që gazetarët dhe mediet janë nxitësit kryesorë për zhvillimin demokratik, të qëndrueshëm dhe paqësor në rajon.

Karta do t’i dorëzohet Komisionit Evropian në Bruksel gjatë vitit 2019 dhe Këshillit të Evropës në Strasburg në vitin 2019, me qëllim që të bëhet një pikë referimi mbi kushtet e punës për gazetarët në ushtrimin e vlerësimit të tyre për lirinë e medias në shtetet anëtare dhe kandidate, dhe kjo mund të rrisë besimin ndërmjet gazetarëve profesionistë dhe opinionit publik në gjithë Evropën.

Dokumentin e plotë të kartës e gjeni në linkun në vijim: http://agk-ks.org/wp-content/uploads/2019/02/Karta-per-kushtet-e-punes-se-gazetareve.pdf