AGK dënon ashpër kërcënimin e biznesmenit Latif Kryeziu ndaj Bekim Kabashit

0
479
Source/Author: Association of Journalists of Kosovo

PRISHTINË, 13.03.2020 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, me shqetësim ka pranuar njoftimin se biznesmeni, Latif Kryeziu ka kërcënuar drejtorin e Gazetës Online “Reporteri”, Bekim Kabashi.

Siç raporton Reporteri, më 12.03.2020 rreth orës 19:00, Kryeziu ka kërcënuar gazetarin Kabashi përmes mesazhit në “Whatsapp” me fjalët “Mjer ju çka keni me përjetu”, dhe kanë shkuar në shtëpinë e Kabashit në Rahovec, ku kanë bërë presion te prindërit e tij.

Sipas gazetës online “Reporteri” ky rast ka ndodhur si rrjedhojë e publikimit të artikullit “Pikat e karburanteve SHELL Kosova nuk shesin derivate të gjigantit holandez ‘SHELL’“.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës konsideron se ky rast është tejet serioz dhe përbën kërcënim të rrezikshëm për lirinë e medieve dhe integritetit fizik të gazetarëve. Për më tepër, për AGK është tejet shqetësuese dhe e papranueshme përfshirja dhe presioni ndaj familjes së gazetarit, për ç’gjë duhet të merren ugjentisht organet e rendit dhe drejtesisë.

AGK bën thirrje sërish që kushdo qe mund të ketë pretendime ndaj shkrimeve të realizuara nga gazetarët, t’i ndjekin rrugët ligjore dhe asesi të përdorin gjuhë kërcënuese.

AGK inkurajon gazetarët që të mos zbrapsen nga kërcënimet e tilla ndërsa rastet e pengimit në punën e tyre profesionale t’i lajmërojnë gjithsesi edhe në polici.