Anëtarja e partisë Lidhja Demokratike e Kosovës – LDK, Melihate Tërmkolli, ka përdorur gjuhë ofenduese dhe kërcënuese në drejtim të gazetarit të Televizionit 7, Arsim Lani.

Tërmkolli përmes një mesazhi elektronik, e ka quajtur gazetarin “bërllok” dhe “i pafytyrë”, për shkak se siç e ka bërë të ditur gazetari për AGK-në, Tërmkolli nuk ishte njoftuar paraprakisht për të ftuarin tjetër në studio. Krahas ofendimeve, ajo gjithashtu ka kërcënuar Lanin, duke i thënë se “ do ta paguajë për mundin dhe ftohjen” që sipas saj, ai ia ka shkaktuar.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK, përmes një reagimi për media ka dënuar gjuhën denigruese dhe kërcënuese në drejtim të gazetarit, Arsim Lani. AGK-ja, gjithashtu ka kërkuar nga zyrtarët politikë që ta njohin rolin e gazetarëve në një shoqëri demokratike dhe të përmbahen nga ofendimet në drejtim të tyre.

Ekipi i Klan Kosovës është penguar të transmetonin ndeshjen e basketbollit në mes të Vllaznimit– Trepçës në palestrën “Shani Nushi”, në Gjakovë.  Ekipi është penguar në kryerjen e detyrës zyrtare nga përgjegjësi i palestrës dhe i një pjesëtari të sigurimit.

Pengimi ka ndodhur më 11 nëntor rreth orës 17:00, kur ekipi kishte kërkuar asistencë nga zyrtari i palestrës për t’i futur pajisjet në sallë dhe për t’u përgatitur për transmetimin e ndeshjes Vllaznimi – Trepça.

Sipas Drejtorit të Programit të Sportit në Klan Kosova, Agon Fehmiu, ekipit realizues i është refuzuar hyrja në palestër nga përgjegjësi i saj, duke u përcjellë me ofendime, kanosje dhe sulm fizik.

Për Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës, pengimi i ekipit realizues të Klan Kosovës përderisa ishin në krye të detyrës është tërësisht i papranueshëm dhe paraqet trysni. AGK-ja u bën thirrje organeve kompetente dhe institucioneve përgjegjëse që të marrin masa ndaj sjelljes së përgjegjësit të kësaj palestre.

Vetura e gazetarit të njohur kosovar, Shkumbin Kajtazi, ka qenë cak e disa të shënave me armë zjarri mbrëmë në qytetin e Mitrovicës.

Këtë e ka bërë të ditur vetë gazetari përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ku ka deklaruar se rastin e ka lajmëruar në polici dhe se sipas tij, sulmi lidhet me punën e tij pasi që nuk ka probleme personale.

“Mbrëmë u përballa me një sulm të rrezikshëm: vetura ime është qëllua me 5 ose 6 plumba. Ngjarja ka ndodhur rreth mesnatës, ku vetura ishte e parkuar në qendër të Mitrovicës”, ka shkruar ndër të tjera ai.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës përmes një reagimi për medie, ka dënuar ashpër sulmin me armë zjarri në drejtim të veturës së gazetarit, Shkumbin Kajtazi. Për AGK-në, sulmi me armë zjarri në veturën e gazetarit Kajtazi është tejet shqetësues dhe rëndon jo vetëm klimën e të bërit gazetari, por rrezikon edhe jetën e kolegëve tanë.

AGK fton organet kompetente që ta hetojnë sa më shpejtë këtë rast, në mënyrë që personat që kanë kryer këtë akt të dalin para drejtësisë.

Gazetarët e Gazetës Express janë kërcënuar me vrasje mbrëmjen e së shtunës nga Naser Gashi i njohur në publik si Naser Qeli.

Sipas Gazetës Express, Gashi, të shtunën në mbrëmje ka thyer derën e redaksisë dhe i ka kërcënuar gazetarët për shkak të një shkrimi që ishte publikuar nga gazeta për ish-bashkëshorten e tij.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës përmes një reagimi për medie, ka dënuar ashpër kërcënimin e gazetarëve të Gazetës Express. Hyrja me dhunë në redaksi dhe kërcënimi me vrasje në drejtim të gazetarëve për AGK-në janë veprime të pa precedent që duhet të trajtohen me seriozitet të lartë dhe ta marrin dënimin e merituar.

Gazetari njëherësh drejtuesi i RTV Dukagjinit, Ermal Panduri. është kërcënuar nga disa persona në rrjete sociale.

Panduri ka njoftuar se është duke u kërcënuar me jetë nga persona të ndryshëm në rrjetet sociale. Këtë e ka bërë të ditur me anë të një postimi përmes rrjetit social Facebook, ku ka postuar një koment ofendues dhe kërcënues në drejtim të tij.

“Ky djali po më kërcënon me jetë, po ma shan’ krejt familjen! Si ky janë shumë, por të mirët janë më shumë”, ka shkruar ndër të tjera Panduri.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës janë të papranueshme kërcënimet dhe ofendimet që ka pranuar Panduri. Andaj, ftojmë organet kompetente që sa më parë të merren me rastin në mënyrë që kërcënuesit të dalin para drejtësisë.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës vlerëson se kërcënimet e tilla e cenojnë rëndë lirinë e shprehjes dhe rrezikojnë klimën e të bërit gazetari në Kosovë.

AGK u bën thirrje kolegëve tanë që rastet e kërcënimeve t’i raportojnë në Policinë e Kosovës.

Radiotelevizioni i Kosovës (RTK), është kërcënuar nga disa persona të panjohur.

Këtë kërcënim për medie e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, me ç’rast ka deklaruar se janë ndërmarrë veprimet e nevojshme.

“Menjëherë njësitet komeptente policore kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme profesionale për të trajtuar informatat e tilla dhe janë duke punuar për sqarimin e të gjitha rrethanave dhe fakteve që ndërlidhen me këtë raportim”, citohet të ketë thënë Hoxha.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), ka reaguar me anë të një komunikate, me ç’rast ka bërë të ditur se për AGK-në kërcënimet e tilla janë tërësisht të papranueshme, andaj i ka ftuar organet kompetente që sa më parë të merren me këtë rast, në mënyrë që kërcënuesit të dalin para drejtësisë.

Kërcënimet dhe gjuha e urrejtjes kanë pasoja serioze në klimën e të bërit gazetari në Kosovë. Andaj, AGK vlerëson se vetëm duke dënuar kërcënuesit do të dëshmohet se këto sjellje janë të papranueshme në një shoqëri demokratike.

Ekipi i Radiotelevizionit të Kosovës është ndaluar dhe penguar të xhironin në Zubin Potok nga një grup personash me uniformë të njëjtë ku shihej flamuri i Serbisë.

Ekipi i përbërë nga kameramani Mumin Jashari dhe dy pjesëtarët tjerë Zymer Leci dhe Arben Jashari, edhe pse kishin leje nga KFOR-i që të xhironin në Zubin Potok, ata gjatë ditës së djeshme (13 gusht), në mënyrë tërësisht jo legale janë penguar të xhironin nga këta pjesëtarë, e më pastaj janë përcjellë edhe për në stacionin policor.

AGK vlerëson se veprimet e këtilla ndaj gazetarëve dhe profesionistëve të medieve që janë në detyrë, përbëjnë presion ndaj tyre. Ndalimi dhe format e tjera të frikësimit kohëve të fundit po shënojnë rritje dhe kjo kërcënon sigurinë e gazetarëve, raportimin e tyre të pavarur dhe lirinë e përgjithshme të medieve në Kosovë.

AGK ka kërkuar nga autoritetet përkatëse që sa më shpejtë t’i identifikojnë këta persona që penguan ekipin e RTK-së për të xhiruar në Zubin Potok dhe të marrin masat adekuate rreth rastit.

Zyrtari i lartë i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Gani Koci, ka përdorur gjuhë fyese ndaj gazetares Jeta Xharra.

Koci përmes një shkrimi të publikuar në rrjetin social Facebook, i ka quajtur gropa skeptike serbe që duhet mbyllur me beton, disa personalitete duke përfshirë edhe gazetaren e BIRN-it, Jeta Xharra.

“Ka ardh koha, jo me i dezinfektu por me i mbyll me beton gropat septike serbe, të mbetura akoma në Kosovë. Shumë po kundërmojnë!”, ka shkruar ai.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), përmes një reagimi ka dënuar ashpër gjuhën e përdorur nga Gani Koci, si dhe u ka bërë thirrje të gjithë zyrtarëve politikë t’i ndalin sulmet ndaj gazetarëve, në mënyrë që puna e tyre t’i shërbejë opinionit dhe zhvillimit demokratik të shoqërisë.

Presionet e tilla nuk janë të dëmshme vetëm për punën e gazetarëve, por edhe për demokracinë në vend. Gazetarët kanë të drejtë të kryejnë punën e tyre lirshëm, pa pasur frikën ndaj etiketimeve të kësaj natyre.

Gazetarit të portalit “Reporteri”, Shkumbin Kjatazi më 13.06.2020  është tentuar t’i digjet vetura me benzinë.

Këtë e ka bërë të ditur vetë Kajtazi përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ku ka treguar se në rrugën “Evlia Çelebia” në Mitrovicë, një person kishte tentuar t’ia digjte me benzinë veturën e tij. Këtë akt, sipas gazetarit e kanë parandaluar banorët e kësaj rruge, të cilët e kishin njoftuar edhe Policinë e Kosovës.

AGK-ja përmes një reagimi publik, ka kërkuar nga organet e drejtësisë që të hetohen motivet e sulmit dhe kryesi i këtij akti të dal para drejtësisë.

Kërcënimet e tilla për Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës janë tërësisht të papranueshme, të cilat e cenojnë rëndë lirinë e shprehjes dhe rrezikojnë klimën e të bërit gazetari në Kosovë.

<