Moderatori dhe gazetari i Televizionit 7 – Fidan Jupolli përmes rrejteve sociale ka marrë mesazhe kërcënuese, të cilat lidhen me punën e tij.

Bazuar në njoftimin për Asociacionin e Gazetarëve të Kosovë – AGK, Jupolli ka treguar se vazhdimisht është duke marrë mesazhe kërcënuese. Sipas tij, në to shkruhet se do ta likuidojnë, apo dëbojnë nga Kosova. Kësi mesazhesh ka marr po ashtu gjatë kohës kur po intervistonte Ministren e Drejtësisë – Albulena Haxhiu. Gazetari Jupolli e ka paraqitur rastin në polici.

AGK ka reaguar publikisht për këtë rast dhe i ka kërkuar organeve kompetente të hetojnë rastin dhe të sjellin para drejtësisë autoret e kërcënimit.

 

 

Gazetarja e portalit “Kossev”, Tatjana Llazareviq është arrestuar nga policia me datë 12 prill 2020, derisa po ushtronte detyrën e saj.

Rasti kishte ndodhur në kushte kur ishte në fuqi vendimi i Qeverisë së Kosovës për të kufizuar lirinë e lëvizjes së qytetarëve për të parandaluar përhapjen e pandemisë Covid 12. Rastin e ka konfirmuar vetë gazetarja, përkatësisht redaktorja e këtij portali, Tatjana Lazareviq. Ajo ka treguar se, kishte dalë në terren për realizimin e një storie në shtëpinë e Shëndetit në Zveçan. Edhe pse ua ka dëshmuar policëve ID-n, ashtu siç e kërkojnë udhëzimet e qeverisë së Kosovës, gazetarja është dërguar në stacion me arsyetimin se në Mitrovicë të Veriut dhe Zveçan, ndalohet lëvizja pas orës 12:00.

Ky është një tjetër sulm në një seri presionesh ndaj gazetarëve të portalit tonë dhe përpjekjeve për të parandaluar kryerjen e detyrave gazetareske. Pavarësisht se me këmbëngulje po i tregoja policisë së Kosovës ID-n e mediumit tim, duke përmendur edhe vendimin e qeverisë së Kosovës, përkatësisht njoftimin se një gazetar është i detyruar t’i tregojë ato, kjo nuk më ndihmoi mua për ta shmangur ndalesën”, ka thënë Llazareviq.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK ka reaguar publikisht përmes një komunikate për media, duke e cilësuar si trysni ndaj lirisë së shprehjes.

Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Hysamedin Ferraj ka sulmuar verbalisht gazetarët Berat Buzhala dhe Parim Olluri për duke i cilësuar ata si pjesë të një lobi mendor serbo-rus në Kosovë.

Përmes shkrimeve në llogarinë e tij në Facebook, Ferraj ka thënë “Kthimin e pjesshëm ose të plotë të Kosovës nën Serbinë lobi serbo-rus në SHBA, me përfaqësuesin e vet më të pushtetshëm Richard Grenell, duhet ta bëj pa armë. Këtë mund ta realizoj vetëm me lobistët serbo-rus brenda Kosovës, ndër me të zëshmit deri tani: Hashim Thaçi, Isa Mustafa, Ramush Haradinaj, Berat Buzhla, Parim Olluri, dhe gjithë media që lobon pro tyre.”

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK ka reaguar publikisht ku ka cilësuar komentet e Ferrajt si të pa pranueshme, të cilat si të tilla polarizojnë shoqërinë, cenojnë lirinë e shprehjes dhe rrezikojnë demokracinë në vend.

Radiotelevizioni i Kosovës – RTK, përkatësisht trupat e tij udhëheqës, kanë ndërmarrë masa disiplinore ndaj punonjësve të saj në mënyrë selektive.

Drejtuesit e RTK-së formuar komisione disiplinore për të marrë masa ndëshkuese ndaj një grupi gazetarësh, të cilët në një formë ose tjetër kanë shfaqur pakënaqësi. Njëjtë nuk kanë vepruar ndaj një grupi tjetër gazetarësh të cilët qëllimisht kanë bërë shkelje serioze ndaj etikës profesionale dhe në dëm të interesit publik. Këto informata i posedon Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.

AGK i ka kërkuar drejtuesve të RTK-së publikisht që të jenë më transparent, duke rekomanduar njëherësh vendosjen e ligjshmërisë në mediumin e vetëm publik në Kosovë.

Gazeta ZËRI gjatë muajit mars 2020 ka larguar nga puna më shumë se njëzet gazetarë, redaktorë dhe punonjës të tjerë medial.

Në mesin e punëtorëve të larguar nga puna, janë 3 gazetarë dhe 1 redaktor, ndërsa siç kanë lajmëruar kolegët tanë, dy prej gazetarëve, janë gra shtatzëna. Ata janë njoftuar për shkëputje të kontratave përmes një e-mail nga Drejtori i Gazetës ZËRI, gjë e cila në opinionin publik është interpretuar si shkelje e të Ligjit të Punës, konkretisht të dispozitave që parasheh për shkëputjen e marrëdhënies së punës.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK ka reaguar publikisht për këtë mënyrë të të vepruarit nga mediumi në fjalë dhe është cilësuar si trajtim jo i duhur për komunitetin e gazetarëve.

Moderatorët dhe gazetarët Jeta Xharra – Jeta në Kosovë, Xhemajl Rexha – Kohavizion dhe Fidan Jupolli – Televizioni 7, janë linquar publikisht përmes rrjeteve sociale.

Përmes një faqe në rrjetin social FACEBOOK, gazetarët në fjalë janë cilësuar si mercenarë të njërit prej subjekteve politike në vend, konkretisht Lëvizjes Vetëvendosje. Rasti lidhet me zhvillimet e fundit politike në Kosovë, ku qeveria nuk i ka mbijetuar një mocioni votbesimi në kuvend. Objekt i këtij sulmi ishte edhe opinionisti Rron Gjinovci.

AGK e ka cilësuar këtë si njëri nga rastet, si akte të cilat cenojnë rënd lirinë e shprehjes dhe rrezikojnë klimën e të bërit gazetari në Kosovë.

Ekipi i Gazetës Online Blic i përbërë nga gazetarët Diamand Bajra, Nebi Maxhuni dhe kameramani Arsim Rexhpi janë sulmuar nga dy  persona derisa po realizonin një kronikë për Coronavirusin ne veri të Mitrovicës.

Ekipi i Gazetës Blic ishte afruar pran një vendi ku shitej miell dhe komunikonin me qytetarët se si shkonte furnizimi. Në atë moment, janë sulmuar nga dy persona, duke i goditur me grushte dhe shqelma. Nga ky sulm, gazetari Nebi Maxhuni ka marrë tretman mjekësor si pasoj e plagëve të shkaktuara.

Për rastin është njoftuar Policia e Kosovës dhe ka intervistuar ekipin e Gazetës Blic për të ardhur deri tek identifikimi i sulmuesve. Rasti është në hetim policor, për të cilin AGK është ende në pritje të informatave për tu njohur se deri ku kanë shkuar hetimet.

Gazetari dhe pronari i Gazetës Express dhe Televizionit 7 – Berat Buzhala është kërcënuar dhe ka pasur një tentim sulmi fizik ndaj tij ditën e 21 marsit 2020.

Teksa ishte në një barnatore, dy persona të cilët ndodheshin jashtë saj, kanë tentuar ta sulmojnë gazetarin Berat Buzhala. Përmes një njoftimi në llogarinë e tij personale në FACEBOOK, ai ka bërë me dije se, “në prezencë te katër pesë vetave, te barnatorja Rexal ne Prishtine, dy vagabondë të Vetëvendosjes deshën të më sulmojnë.”

Sipas të njëjtit burim, sulmi është evituar pasi që një vajzë aty prezentë ka paralajmëruar gazetarin për qëllimin e personave të përmendur.

Pas pranimit të informatave për këtë rast, AGK ka kontaktuar autoritetet për të marrë përgjigje zyrtare. Policia e Kosovës, në përgjigjen drejtuar AGK-së, ka bërë të ditur se është duke proceduar rastin dhe të gjitha veprimet hetimore janë në proces sipas procedurave ligjore dhe në konsultim me prokurorin kompetent.

Drejtori i Gazetës Online “Reporteri” – Bekim Kabashi është kërcënuar nga biznesmeni Latif Kryeziu.

Latif Kryeziu i cili është pronar i një kompanie të derivateve, përmes mesazheve telefonike ka kërcënuar gazetarin Bekim Kabashi.  Ai i është drejtuar gazetarit me fjalët “Mjer ju çka keni me përjetu”, dhe pastaj i kanë kërcënuar edhe përmes thirrjeve telefonike në redaksi. Më pas, i njëjti i ka shkuar në shtëpinë e prindërve të tij, bashkë me një person tjetër dhe i ka kërcënuar.

Bazuar në të dhënat e Gazetës Reporteri, ngjarja ka të bëjë me artikull “Pikat e karburanteve SHELL Kosova nuk shesin derivate të gjigantit holandez ‘SHELL’“, të cilin e ka publikuar disa ditë para kërcënimit.

Rasti është denoncuar në polici dhe është në fazën e hetimeve.

<