Derisa po zhvillohej një seancë gjyqësore, njëri nga gazetarët dhe monitoruesit e emisionit “Betimi për Drejtësi” është sharë dhe ofenduar nga M. Z.

Gjatë seancës gjyqësore, M. Z. aa sharë dhe ofenduar gazetarin dhe monitoruesin e Institutit të Kosovës për Drejtësi, sepse kishin publikuar një video, teksa ai shikonte ndeshje të boksit përderisa procesi gjyqësor po zhvillohej.

Bazuar në informatat e ofruar nga udhëheqësit e IKD-së për Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës, si rezultat i një lajmi të publikuar nga ta, M. Z. ka filluar sharjet ndaj të gjithë të pranishmëve të mediave përfshirë edhe monitoruesit e tyre. Sipas tyre, një veprim i tillë përbën shkelje të procedurës gjyqësore, të cilat janë paraparë me nenin 301 të Kodit të Procedurës Penale. IKD konsideron se janë bërë lëshime edhe nga gjyqtari i seancës Vesel Ismaili, i cili nuk kishte vendosur rend bazuar në kompetencat e tij.

IKD ka kërkuar zyrtarisht mbështetje nga AGK për të reaguar dhe mbështetur ata në mbrojtjen e punës së tyre dhe aktiviteteve në monitorimin e gjykatave dhe organeve tjera të drejtësisë.

Deputeti i Kosovës, Veton Berisha publikisht i ka bërë presion gazetarit të Radio Kosovës Denis Galushi përmes një shkrimi në llogarinë e tij personale ne Facebook.

Ai ka akuzuar Denis Galushin si person i cili ka nxitë përçarje mes komunitetit Rom, Ashkali dhe Egjiptas përmes editorialeve të tij.

“Bazuar në publikimin e tij të datës 18. 10. 2019, me titull: “Roma + Ashkali + Egjiptian = ROMA” kemi konstatuar se ka kryer vepër penale duke nxitur përçarje dhe mosdurim si dhe duke mohuar identitetin Egjiptian dhe Ashkali ne konstatojmë se ka shkelur Kushtetutën , ligjet në fuqi dhe nenin 141 i KPK-së”, ka shkruar Berisha në rrjetin social Facebook.

Deputeti Berisha ka treguar se ka ngritur kallëzim  penal në Prokurorinë Themelore të Prishtinës. Denis Galushi ka kërkuar mbrojtje ligjore nga AGK duke e aplikuar mekanizmin e Memorandumit të Mirëkuptimit me Odën e Avokatëve të Kosvës. AGK është duke e monitoruar nga afër rastin dhe do ta mbështetë Denis Galushin në punën e tij si gazetar.

 

Mejreme Gashi është sulmuar fizikisht nga një person, në fshatin Karaçevë të Kamenicës, teksa ishte duke realizuar një kronikë për aktivitetet e disa kazinove në këtë vend me 7 nëntor 2019.

Pasi që janë intervistuar disa qytetarë, gazetarët kanë provuar të xhirojnë në njërën prej kazinove të fshatit, por ekipi i Klan Kosovës hasi në rezistencë nga disa njerëz që gjendeshin aty.

”Fillimisht mua dhe Rilindit na janë vërsulur duke na sulmuar verbalisht me fjalët më të rënda, na shanë, na ofenduan me fjalë banale. Pastaj njëri nga ta më goditi pas koke me dorë. E kjo nuk i mjaftoi prapë vazhdoi me sulme verbale ndaj tërë ekipit të Klan Kosovës derisa u shoqërua nga të pranishëm të tjerë duke na thënë ”Ikni nga këtu”, ”Mos na xhironi veturat”, kjo pasi aty kishte njerëz që ushtronin këtë veprimtari”. Ka deklaruar ajo për mediumin në të cilin punon.”

Rasti është paraqitur në polici dhe është njoftuar prokurori me rastin. Gjithashtu në këtë rast ishte përfshirë edhe një tjetër gazetar, Rilind Matoshi, i cili ishte pjesë e ekipit të Klan Kosovës.

Kazinotë në Kosovë janë të ndaluara me ligj që prej marsit të vitit 2019.

 

Një familjar i Imamit Sead Bejta nga Zhabari – Mitrovicë, ka kërcënuar ekipin e Klan Kosovës, derisa ishin duke e realizuar një storie ku imami Sead Bejta dhe një grua S. B. ishin protagonist.

” Nëse publikohet vetëm një sekuencë për këtë rast, ose ti ose unë do të jemi mi tokë”, u ka thënë ai ekipit të Klan Kosovës.

Ky është një sulm me jetë dhe rasti më i rrezikshëm në Kosovë deri më tani që nga Janari i vitit 2019. Gazetarja e cila ishte anëtare e ekipit, ka njoftuar AGK se nuk e ka paraqitur rastin zyrtarisht në polici vetëm për të shmangur rrezikun dhe për të mos e tensionuar situatën.

 

Me datën 27 tetor 2019, Arsim Rexhepi, pronar i një kompanie ndërtimi ka sulmuar fizikisht Norë Kelmendin, gazetare e Ekonomia Online.

Kelmendi ishte duke e realizuar kronikën për një incident në Prishtinë, ku si rezultat i rrëshqitjes së dheut ishin dëmtuar disa vetura. Gjatë kryerjes së punës së saj është penguar nga z. Rexhepi, i cili e ka kapur nga krahu dhe me forcë e ka larguar nga vend-punishtja. Ekipi i Ekonomia Online kishte leje nga Inspektorati i Punës për të bërë xhirimin.

Në lidhje me incidentin, Policia e Kosovës ka intervenuar dhe i ka intervistuar të dy; Arsim Rexhepin dhe Norë Kelmendin.

Përmes një postimi në Facebook, Hysen Durmishi, Zyrtar i Lartë në Lëvizjen Vetëvendosje ka kërkuar arrestimin e Drejtorit të Klan Kosova – Baton Haxhiu dhe Redektorit të Insajderit Vehbi Kajtazi. Ai ka akuzuar ata si persona të përfshirë në vdekjen e Astrit Deharit.

“Astriti u vra. Vrasësit dhe urdhërdhënësit duhet të dënohen. Prokuroria duhet menjëherë, ama menjëherë, qysh sot, të shpallë urdhërarrest për Sylë Hoxhen, Nexhmi Krasniqin, Dhurata Hoxhën, Baton Haxhiun, Vehbi Kajtazin e plot të tjerë, në mënyrë që të zbulohet e vërteta. Nuk do të ndalemi kurr deri te e vërteta për Astritin.”

Astrit Dehari ishte aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje, i cili është gjendur i vdekur me 5 nëntor 2016 në Burgun e Prizrenit. Të martën, me 24 tetor 2019, familja e tij ka marrë raportin nga Instituti i Mjekësisë në Llozan – Zvicër, i cili ka konstatuar se përfshirjen e një personi të tretë në vdekjen e tij nuk duhet përjashtuar.

 

Paulina Nushi, gazetare e Gazetës Jeta në Kosovë, është fyer dhe i është denigruar personaliteti i saj nga mjeku i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, – Sejdullah Mahmuti.

Gazetarja Nushi ka provuar ta kontaktoj mjekun Mahmuti, për ta pyetur në lidhje me akuzën e Prokurorit të Shtetit, që i kishte bërë atij. Ai nuk është lajmëruar në telefon dhe më pas gazetarja i ka shkruar mesazh. Pas publikimit të artikullit, ai e ka thirru në telefon dhe e ka fyer.

“Përkundër që e patëm aktakuzën ne donim t’i japim mundësinë për ta thënë fjalët e vet. Sot në mëngjes më telefonoi, bërtitke, dhe nuk e mora seriozisht deri në momenti kur filloi me thanë që ‘kjo do të kthehet në fëmijët tu’. Ne nuk duhet të trajtohemi në këtë formë, kjo është e papranueshme. Ja shpjegova që ke të drejtën tënde me fol dhe nëse ke ndonjë qëndrim apo reagim mund ta dërgosh në redaksi, ai prapë refuzoi”, tha Nushi Muhaxhiri.

 

Ish deputeti i Vetëvendosjes dhe ish Avokati i Popullit – Sami Kurteshi ka linçuar publikisht ish Drejtorin e Përgjithshëm të Radiotelevizionit të Kosovës (RTK) – Mentor Shala dhe Redaktorin Ridvan Berisha në lidhje me vdekjen e Astrit Deharit në burg. Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Kurteshi i ka inkriminuar ata për rolin e tyre në këtë rast.

 

 

Partia Demokratike e Kosovës ka sulmuar Gazetën Ekspres përmes një komunikate për shtyp. Në të PDK i  ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që të mos marrin në konsideratë lajmet e publikuara nga Gazeta Express. Sulmi i PDK bëhet edhe më i papranueshëm  duke thënë se;  “Kjo web-faqe tashmë një kohë është futur në këtë valle me mision të qartë të goditjes së PDK-së me një armiqësi të pakuptueshme. Prandaj, ne u bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që t’i marrin me rezervë lajmet e Gazetës Express”

<