AGK dënon kërcënimin që i është bërë gazetares së “KALLXO.com” gjatë monitorimit të një seance gjyqësore

Kallxo.com

PRISHTINË, 27.12.2019 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dënon ashpër kërcënimin ndaj gazetares së KALLXO.com në kohën kur po monitoronte një rast të fajdesë në Gjykatën e Gjakovës.

Siç raporton KALLXO.com, para shpalljes së aktgjykimit në rastin ku S.Sh. po akuzohet për fajde, i njëjti ka kërkuar nga mediet e pranishme që të mos fotografojnë dhe të shkruajnë me iniciale, përkundër që një gjë e tillë nuk është kërkuar nga Gjykata.

Si rrjedhojë, pasi që gazetarja e KALLXO.com ka vazhduar me kryerjen e detyrave të saja, njëri nga shoqëruesit e të akuzuarit i është drejtuar monitoruesve me fjalët “nëse kta dojn me pas jetën e lumtur mos t ‘fotografojnë”, duke kërcënuar qartazi dhe duke tentuar të pengojë punën e monitorueses.

Rasti është raportuar në Policinë e Gjakovës dhe AGK kërkon nga këta të fundit hetimin e shpejtë dhe ndërmarrje të masave të menjëhershme.

Rikujtojmë se ky është rasti i dytë kur gazetarët pengohen gjatë monitorimit të seancave gjyqësore andaj sërish i bëjmë thirrje të gjithë akterëve relevantë si në sistemin e drejtësisë ashtu dhe në të gjitha fushat tjera që të ndalin presionin, ofendimet dhe kërcënimet ndaj gazetarëve.


, Gjakova, 27/12/2019