AGK i ndan mirënjohje gazetarit Vaughan Smith për raportimin e tij gjatë luftës në Kosovë

0
287

14.06.2019,PRISHTINË- Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) i ndau mirënjohje të veçantë gazetarit të BBC Vaughan Smith, për punën e tij si gazetarë gjatë luftës në Kosovë.

Në fjalën e rastit, Kryetarja e AGK-së, Gentiana Begolli-Pustina, vlerësoi se z. Smith bashkë me gazetaren Elida O’Connel dhe gazetarë të tjerë dhanë kontribut në çlirimin dhe pavarësimin e vendit tonë dhe se tani na mbetët neve, gazetarëve të vendit të punojmë pa ndalë për një të ardhme më të mirë.

“Ju premtojmë se ne gazetarët do të kontribuojmë pareshtur që ta kemi një shtet pa korrupsion, ku sinjalizuesit nuk kërcënohen, ku kemi qasje në dokumente zyrtare, ku krerët e lartë të shtetit nuk na thërrasin në telefon, ku nuk na japin epitete si dorë e zgjatur e Serbisë, spiunë e të ngjashme si këto. Ndihem jashtzakonisht e nderuar që në emër të AGK-së t’ju ndajë këtë mirënjohje” tha pos tjerash Begolli Pustina

Në anën tjetër, gazetari Smith shprehu falënderimin për vlerësimin e punës së tij, duke theksuar se më e rëndësishmja për të në atë kohë ishte që të paraqitet e vërteta për ngjarjet e rënda të viteve 98 dhe 99 në Kosovë. Pjesë e këtij diskutimi të hapur ishte edhe zonja Elita O’Connel, po ashtu e angazhuar si gazetare në luftën e Kosovës, e cila paraqiti para publikut përvojën e saj gjatë luftës në Kosovë.

Ceremonia e ndarjes së mirënjohjes u organizua në kuadër të FRONTLINE CLUB TALK, format i diskutimit të hapur i cili për herë të parë mbahet në Prishtinë.

Duke raportuar gjatë luftës së Kosovës gjatë viteve 1998/99 për mediumin britanik BBC, Vaughn Smith ishte goditur me plumb në telefonin e tij mobil, të cilin asokohe ishte duke mbajtur. Kjo ngjarje kishte ndodhur kur z. Smith ishte duke filmuar sulmet e forcave serbe në Prekaz të Drenicës.

Gazetari Smith ishte i pari i cili intervistoi Komandantin e UÇK-së Fehmi Lladrovci, ku ishte paraqitur i pa maskuar.

Me të xhiruar masakrën në familjen Deliaj në fshatin Abri të Drenicës, zotëri Smith kishte prodhuar filmin dokumentar LUGINA, kushtuar luftës së Kosovës.