AGK mirëpret mënyrën e organizimit të sotëm të konferencës për medie nga Qeveria e Kosovës



PRISHTINË, 21.03.2020 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e mirëpret veprimin e sotëm të qeverisë së Kosovës që konferenca e organizuar rreth Pandemisë, të respektojë kriteret e kërkuara dje nga AGK, si masë mbrojtëse për shëndetin e kolegëve tanë që i përcjellin të gjitha zhvillimet rreth Virusit Corona.

AGK kërkon edhe nga institucionet e tjera që të veprojnë ngjashëm duke mbajtur konferenca në hapësira ku sigurohen foltore dhe distanca e rekomanduar ndërmjet kolegëve tanë dhe zyrtarëve. Në këtë mënyrë të gjithë mund të ndihmojnë njëri-tjetrin në këtë periudhë të vështirë, sidomos për kolegët tanë, që çdo ditë gjatë raportimit të tyre janë në rrezik potencial të infektimit nga Virusi Covid 19.

AGK po ashtu përgëzon edhe njëherë të gjithë kolegët për punën e tyre dhe kërkon nga drejtuesit e mediumeve që të vazhdojnë të sigurojnë të gjitha kushtet që lehtësojnë punën e secilit në terren, në këtë mision të vështirë që ka sfiduar gjithë botën.

Të kujdesemi për shëndetin tonë, të familjeve dhe të të tjerëve.

Por, edhe t’u jemi mirënjohës të gjithë atyre që duhet të punojnë, teksa ne të tjerët qëndrojmë në shtëpitë tona.


Association of Journalists of Kosovo, Pristina, 21/03/2020