AGK dënon presionin dhe sharjet ndaj gazetares së emisionit “Betimi për Drejtësi”

The Association of Journalists of Kosovo

PRISHTINË, 12.12.2019 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka pranuar me shqetësim të thellë ankesën e drejtuesve të Institutit të Kosovës për Drejtësi, që një nga gazetaret e portalit të tyre “Betimi për Drejtësi”, është ofenduar, sharë dhe i është bërë presion gjatë seancës gjyqësore të cilën ajo po e monitoronte me datën 9 dhjetor 2019, në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Seanca e raportuar nga gazetarja kishte të bëjë me aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ndaj M.Z., E.K. dhe I.K.

“Betimi për Drejtësi” kishte raportuar më 9 dhjetor 2019, lidhur me përdorimin e telefonit nga i akuzuari E.K., i cili kishte shikuar ndeshje të boksit, derisa po zhvillohej procesi gjyqësor.

Ndërsa, siç njoftojnë më tej drejtuesit e IKD-së për AGK-në, si rrjedhojë e publikimit të këtij lajmi, në seancën pasuese njëri nga të akuzuarit, M.Z. kishte filluar sharjet dhe ofendimet ndaj monitoruesve prezent, përfshirë edhe monitoruesen e IKD-së.

Për më tepër, njëri prej avokatëve mbrojtës kishte deklaruar se publikimi i lajmit lidhur me shikimin e ndeshjes së boksit në seancë gjyqësore nga klienti i tij, ishte veprim skandaloz i monitorueses dhe përbënte cenim të privatësisë.

AGK vlerëson se përmbajtja e publikuar nga “Betimi për Drejtësi” nuk ka të bëjë me publikimin e asnjë informacioni privat, aq më shumë kur për seancën në fjalë, nuk kishte pasur ndonjë vendim që ajo të mbahej e mbyllur.

AGK thekson se shoqëria civile dhe mediet luajnë një rol të rëndësishëm në monitorimin e rritjes së transparencës dhe llogaridhënies në të gjitha sferat për të cilat raportohet. Andaj, i bëjmë thirrje të gjithë akterëve relevantë si në sistemin e drejtësisë ashtu dhe në të gjitha fushat tjera që të ndalin presionin, ofendimet dhe kërcënimet ndaj gazetarëve.

AGK inkurajon të gjithë kolegët të mos nënshtrohet para presioneve e ofendimeve që iu bëhen, por të vazhdojnë të kryejnë detyrën e tyre me profesionalizëm dhe etikë të lartë.


The Association of Journalists of Kosovo, Prishtina, 12/12/2019