Tejkalohen afatet ligjore për ofrimin e përgjigjeve nga KPM

Association of Journalists of Kosovo

PRISHTINË, 31.01.2020 – Përfaqësuesit e Komisionit të Pavarur për Media ende nuk kanë kthyer përgjigje për shqetësimet e ngritura nga AGK për Draft Kodin e Etikës për Ofruesit e Shërbimeve Mediale Audio dhe Audiovizuele në Republikën e Kosovës dhe Draft Rregulloren për Mbrojtjen e Fëmijëve dhe të Miturve në Shërbimet Mediale Audio dhe Audiovizuele, përkundër se kanë kaluar dhjetë ditë nga njoftimi zyrtar, me ç’rast janë tejkaluar afatet ligjore për ofrimin e përgjigjeve. Në bashkëpunim me juristen e medias, Flutura Kusari, AGK ka ardhur në përfundimin se këto drafte të rregulloreve, përmbajnë dispozita të cilat e cenojnë lirinë e shprehjes dhe të medias.

Heshtja e KPM karshi organizatës më të madhe në vend që mbron të drejtat e gazetarëve dhe avokon për lirinë e medias, është e papranueshme. Kjo mos-përgjigje është tregues i nivelit të ulët të transparencës të kësaj agjencie publike, gjë që nuk duhet të vazhdoj më tutje. Ashtu sikurse është reaguar publikisht nga AGK me 24 janar të këtij viti, këto dy propozime nuk duhet të miratohen. Në të kundërtën, cenimi i lirisë së shprehjes së gazetarëve dhe mediave në Kosovë përligjet përmes akteve normative të një institucioni publik si KPM.

Çdo vonesë e mëtejme e bën situatën edhe më serioze, andaj po përsëritim prapë çështjet që kemi ngritur si në vijim:

– Cilat janë arsyet që e kanë shtyrë amandamentimin e Draft Kodit të Etikës dhe Draft Rregullores?

– A është bërë ndonjë analizë ligjore e të metave të Kodit të Etikës dhe Rregullores në fuqi të cilat KPM pretendon t’i adresoj në procesin e amandamentimit? Nëse po, të ndahet me neve.

– Në cilat standarde ndërkombëtare është bazuar KPM kur kanë propozuar ndalimin e raportimit nga gjykatat?

– Gjatë amandamentimit, a kanë kërkuar ekspertizë dhe mbështetje nga ndonjëra nga institucionet ndërkombëtare veprojnë në Kosovë dhe aktive në fushën e lirisë së medias?


Association of Journalists of Kosovo, Pristina, 31/01/2020