Gazetarja e Radiotelevizionit të Malit të Zi, Ana Popoviq, filloi të kërcënohej më 22 janar përmes rrjetit social Instagram, një ditë pas raportimit nga protestat në Podgoricë. Gazetarja e ka denoncuar rastin në Polici më 25 janar dhe më pas sërish më 28 janar pasi një person i panjohur ka tentuar t’i zhvasë para (5000 euro). Prokuroria Themelore në Podgoricë këtë rast e ka cilësuar si vepër penale që ndiqet sipas detyrës zyrtare.
Marijana Camovic Velickovic, kryetare e Sindikatës së Mediave të Malit të Zi, shprehu shqetësimin për rritjen e numrit të sulmeve ndaj gazetarëve gjatë protestave ose si rezultat i raportimeve për protestat që tani po ndodhin pothuajse çdo ditë në Mal të Zi. “Polarizimi në shoqëri, i shkaktuar nga situata politike, është shumë i lartë dhe, si gjithmonë, çmimin e paguajnë punonjësit e medias, të cilët thjesht bëjnë punën e tyre”, tha Camovic Velickovic. Ajo theksoi se shantazhi u pasua nga kërcënimi. “Presim nga policia dhe prokuroria që menjëherë të informojnë opinionin për identitetin e autorit dhe masat që do të marrin për këtë rast pasi kanë kaluar disa ditë nga ngjarja. Është inkurajuese që ky sulm tashmë është shënuar si vepër penale e ndjekur sipas detyrës zyrtare”, tha Camovic Velickovic.
Gazetarja Popovic tha se “për fat të keq, kërcënimet dhe presionet janë bërë pjesë integrale e gazetarisë”. Ajo deklaroi se shumë prej kolegëve të saj tashmë janë ekspozuar ndaj këtyre sfidave. “Fillimisht, nuk isha e sigurt nëse duhet t’i raportoja ato kërcënime. Megjithatë, kërcënimet vazhduan dhe vinin nga e njëjta adresë dhe ishte gjithnjë e më e pakëndshme. Isha vërtet e mërzitur dhe u ndjeva e kërcënuar dhe e shqetësuar për sigurinë time”. Popoviç shtoi se ajo shpreson që zbulimi i autorëve të këtyre kërcënimeve “do të kontribuojë në krijimin e një shoqërie në të cilën nuk do të ketë më sulme të ngjashme ndaj gazetarëve, ose të paktën t’i mbajë ato në minimum”.
Rrjeti SafeJournalists, që përfaqëson më shumë se 8200 profesionistë të medias në Ballkanin Perëndimor, solidarizohet me kolegen Ana Popovic. Ne e mirëpresim faktin që autoritetet kanë reaguar me shpejtësi në këtë rast dhe shpresojmë se do ta gjejnë shpejt autorin dhe do ta ndëshkojnë në mënyrë adekuate. Presim transparencë të plotë nga autoritetet për këtë dhe për të gjitha rastet e tjera.
Rrjeti SafeJournalists do të informojë të gjithë akterët relevant kombëtarë dhe ndërkombëtarë për këtë rast.
Çdo sulm ndaj gazetarëve është sulm ndaj interesit publik, demokracisë dhe të drejtave të të gjithë qytetarëve.
Shkup – Beograd – Podgoricë – Prishtinë – Sarajevë – Zagreb, 3 shkurt 2022
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës
Asociacioni i Gazetarëve të Maqedonisë
Asociacioni i Gazetarëve të BH
Asociacioni i Gazetarëve Kroatë
Asociacioni i Pavarur i Gazetarëve të Serbisë
Sindikata e Mediave të Malit të Zi