
Partnerët e Media Freedom Rapid Response (MFRR) dhe Rrjeti SafeJournalists (SJN) dënojnë ashpër miratimin e ligjit në entitetin Republika Srpska në Bosnjë dhe Hercegovinë, i cili do të krijojë një “regjistër të veçantë” për OJQ-të, shumë prej të cilave janë media të pavarura.
E parë si një hakmarrje ndaj kritikëve të qeverisë, ky ligj ngrit shqetësime në lidhje me përdorimin e mundshëm të tij për të etiketuar mediat e pavarura dhe organizatat e shoqërisë civile si agjentë të huaj. Koalicioni ynë ka kundërshtuar prej kohësh miratimin e një ligji të tillë në Republika Srpska dhe tani kërkon që ligji i miratuar të tërhiqet menjëherë dhe që komuniteti ndërkombëtar të kundërshtojë fuqishëm këtë ligj.
Më 27 shkurt, Republika Srpska votoi për ligjin e quajtur “ligji për agjentët e huaj”, me shumicën parlamentare. Ky ligj, i shpallur më parë nga presidenti i entitetit, Milorad Dodik, u prezantua në një procedurë urgjente. Ligji i miratuar është i njëjti me atë që u propozua në vitin 2023, me ndryshime vetëm në afatet ligjore.
Pas dënimit të fundit të Dodik nga Gjyqi Shtetëror për veprime separatiste që sfidojnë te dërguarin ndërkombëtar që mbikëqyr paqen në vend, Republika Srpska ka filluar miratimin urgjent të një grupi vendimesh dhe ligjesh që synojnë të dëmtojnë institucionet shtetërore, si dhe të ushtrojnë presion mbi mediat e pavarura dhe shoqërinë civile.
Ligji rregullon funksionin dhe aktivitetet e lejueshme të OJQ-ve që marrin financim të huaj, dhe i nënshtrohen kërkesave të veçanta për regjistrim dhe raportim periodic. Teksti i ligjit, i cili më parë u bë i disponueshëm si projekt për delegacionin e MFRR-së, tregon se rregullimi nuk përcakton asnjë prag minimal për ‘financimin e huaj’. Si rezultat, OJQ-të do të ishin të detyruara të raportojnë rregullisht për shumën dhe donatorin e kontributeve më të vogla që ato marrin, që vetë e imponon një kërkesë të rëndë që ndërhyn në punën e përditshme të organizatave të shoqërisë civile. Ligji gjithashtu ndalon OJQ-të, përfshirë mediat hetuese, ‘punën politike’, dhe përcakton detyrime për të shënuar të gjitha publikimet e OJQ-ve si ‘agjentë të huaj’.
Të njëjtën ditë, media online Capital.ba u bastis nga policia lokale, në një aksion që ngjasonte me bastisjet në Serbinë fqinje. Ky veprim ka ndodhur në mes të pezullimit të financimit nga SHBA dhe tensioneve dhe presioneve të shtuar kundër mediave dhe organizatave të shoqërisë civile në të gjithë rajonin.
Ligji për agjentët e huaj i miratuar në Evropë në vitet e fundit ka pasur një ndikim të dëmshëm në liritë e medias, duke imponuar një ngarkesë administrative të papërshtatshme për mediat e pavarura duke u munduar të kontrollojë dhe reduktojë financimin e tyre, duke kufizuar rolin e tyre mbikëqyrës duke stigmatizuar punën e tyre, dhe në disa raste duke i shtyrë ato në mërgim. Ky ligj në Republika Srpska është kundërshtuar nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Komisioneri për të Drejtat e Njeriut i Këshillit të Evropës, Opinioni i Përbashkët e OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias, dhe tre ekspertë të pavarur të OKB-së.
Partnerët e MFRR dhe partnerët e SJN theksojnë se miratimi i ligjeve për agjentët e huaj dhe përdorimi i paarsyeshëm i procedurave urgjente minojnë parimet demokratike në thelbin e tyre dhe janë në masë të madhe disproporcionale. Ligje të tilla rrezikojnë krijimin e mundësive për veprime të arbitrshme më të mëdha dhe ngacmime politike kundër mediave të pavarura.
Organizatat nënshkruese i bëjnë thirrje me forcë Republika Srpska që të ndalojë miratimin e ligjit për agjentët e huaj dhe përfundimisht ta shfuqizojë këtë ligj.
Media Freedom Rapid Response
European Centre for Press and Media Freedom (ECPMF)
Free Press Unlimited (FPU)
European Federation of Journalists (EFJ)
Osservatorio Balcani Caucaso Transeuropa (OBCT)
Article 19 Europe
International Press Institute (IPI)
SafeJournalists Network
Association of BH Journalists
Association of Journalists of Kosovo
Association of Macedonian Journalists
Croatian Journalists’ Association
Independent Association of Journalists of Serbia
Media Union of Montenegro
***Kjo deklaratë është koordinuar nga Media Freedom Rapid Response (MFRR), një mekanizëm në nivel evropian që ndjek, monitoron dhe përgjigjet ndaj shkeljeve të lirisë së shtypit dhe medias në Shtetet Anëtare të BE-së dhe Vendet Kandidate për Anëtarësim.