Më 11 gusht 2024, presidenti serb Aleksandar Vuçiç abuzoi verbalisht me gazetarët nga Serbia, Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia dhe Kosova gjatë një konference për shtyp në Beograd me rastin e tubimit kundër miratimit të qeverisë serbe për minierat e litiumit në Serbi.
Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ) i bashkohet rrjetit SafeJournalists për të shprehur solidaritetin e saj të plotë me gazetarët që janë shënjestruar nga Presidenti Vuçiç. Ne i bëjmë thirrje Presidentit Vuçiç dhe autoriteteve që të përmbahen nga ky model i hapur i ngacmimit të gazetarëve ose organeve të medias për raportim kritik dhe në vend të kësaj të sigurojnë respektimin e garancive themelore të lirisë së medias.
Më 10 gusht, pakënaqësia civile me projektin e minierave të Rio Tintos në Luginën e Jadarit solli protesta masive në Beograd, duke përfshirë bllokimin e dy stacioneve hekurudhore. Demonstratat ishin mbajtur në qytete të tjera anembanë Serbisë në ditët e mëparshme. Më 16 korrik, seanca e qeverisë miratoi një dekret për rifillimin e projektit të diskutueshëm, i cili ishte ndërprerë nga autoritetet shtetërore në vitin 2022, mes protestave në shkallë të gjerë. Gjatë konferencës për shtyp të mbajtur më 11 gusht, Vuçiç shfrytëzoi rastin për të drejtuar gishtin ndaj gazetarëve që raportuan për protestat, duke përfshirë Oslobođenja nga Sarajeva, Jutarnji list dhe Dnevno.hr nga Zagrebi, dhe N1 dhe NOVA RS nga Beogradi dhe revista Slobodna Bosna.
Duke kritikuar mbulimin mediatik, Vuçiç dëgjohet duke thënë: “I kuptoj transmetimet e drejtpërdrejta në mediat e Kurtit. E kuptoj magjepsjen, kënaqësinë dhe kërcënimet, siç thonë në Oslobogjenjë, thotë ‘lufta kundër krimeve të Vuçiç’, pastaj thotë, Slobodna Bosna ‘mund ta çojë Serbinë në luftë civile’, pastaj Jutarnji list, pastaj Direktno, Dnevno, gjithashtu shpall luftë civile në Serbi dhe shpresoj për të. Ata thonë, ‘një autokrat dëshiron të shkatërrojë natyrën për të qëndruar në pushtet’. Unë e kuptoj entuziazmin e tyre, e kuptoj dëshirën e tyre për t’i bërë gjërat keq për Serbinë, nuk kam asnjë problem me këtë.”
“Detyra e medias është të raportojë në mënyrë objektive dhe kritike për ngjarjet me interes publik, përfshirë edhe aktivitetet e qeverisë. Protestat e fundit civile në Beograd dhe qytete të tjera janë ngjarje publike, dhe gazetarët – reporterët nga këto tubime nuk duhet të jenë në shënjestër ose sulmuar për raportet e tyre, “tha Rrjeti SafeJournalists.
“EFJ është e alarmuar nga sulmet e vazhdueshme të Aleksandar Vuçiç ndaj mediave. Këtë herë, duke synuar mediat nga vendet fqinje në diskursin publik, Vuçiç nuk po ndërhyn vetëm në punën e gazetarëve serbë, por gjithashtu po rrezikon gazetarët nga i gjithë rajoni.” tha presidentja e EFJ Maja Sever.
Që nga fillimi i vitit, baza e të dhënave të MFRR e ka regjistruar Presidentin Vuçiç si përgjegjës për ose/dhe të lidhur me tetë raste të abuzimit verbal ndaj gazetarëve serbë. EFJ dhe Rrjeti SafeJournalists i bëjnë thirrje Presidentit Vuçiç të ndalojë heshtjen e zërave kritikë duke ngacmuar gazetarët dhe t’u sigurojë atyre një mjedis të sigurt pune pa frikësime dhe presione politike.
Rrjeti i SafeJournalists
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës
Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë
Shoqata e Gazetarëve të BH
Shoqata e Gazetarëve Kroatë
Shoqata e Gazetarëve të Pavarur të Serbisë
Sindikata e Mediave të Malit të Zi
Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ)