Rrjeti SafeJournalists dënon ashpër presionin politik dhe fyerjet verbale të drejtuara nga Elmedin Konakovic, Ministri i Punëve të Jashtme të Bosnjë dhe Hercegovinës (BH) ndaj disa gazetarëve dhe mediave në konferencën për shtyp më 25 prill, në Sarajevë.
Duke keqpërdorur hapësirën publike të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe pozitën e tij ministrore, z. Konakovic tentoi të kriminalizonte një sërë mediash dhe gazetarësh pa argument dhe asnjë provë, duke i quajtur ata “pjesë e mafies mediatike-gjyqësore”. Akuzat e Konakoviqit kundër mediave dhe gazetarëve erdhën pasi një numër i njerëzve nga policia dhe jeta publike u arrestuan në Sarajevë dhe qytete të tjera të Bosnjë-Hercegovinës me akuzën se ishin pjesë e kartelit ndërkombëtar të drogës “Tito dhe Dino”. Mediat investigative boshnjake kanë shkruar për lidhjet e mundshme të ministrit të Punëve të Jashtme të BH me persona të atij grupi kriminal. Ministri Konakovic hodhi poshtë akuzat e tilla duke e quajtur “përpjekje për të rrezikuar rrugën evropiane të Bosnjë-Hercegovinës”.
Komiteti Drejtues i Gazetarëve të BH-së (BHJA) kujton se z. Konakovic ka vite që kërcënon verbalisht dhe brutalisht mediat e BH-së nga pozicionet e tij të ndryshme në autoritetet publike dhe sulmon veçanërisht ata gazetarë që shkruajnë në mënyrë kritike për mënyrat se si ai e kryen punën e tij, detyrat publike. Në të njëjtën kohë, z. Konakovic mashtron politikisht publikun, veçanërisht përmes rrjeteve sociale, duke i interpretuar kritikat e gazetarëve që i drejtohen atij si zyrtar publik, vetëm si sulm ndaj institucioneve shtetërore dhe/ose shtetit të Bosnjë-Hercegovinës dhe rrugës së tij evropiane.
Rrjeti SafeJournalists i vlerëson veprimet e ministrit Elmedin Konakovic si shkelje të papranueshme të lirisë së shprehjes, sigurisë dhe punës dinjitoze të gazetarise, si dhe një shfaqje të papërshtatshme të pushtetit politik ndaj punonjësve të medias. Gjithashtu, Rrjeti SafeJournalist i bashkohet anëtarit të tij BHJA në mbështetjen e gazetarëve dhe mediave në Sarajevë për të ndërmarrë veprimet e nevojshme ligjore përpara institucioneve përgjegjëse për mbrojtjen e lirisë së shprehjes dhe parandalimin e të gjitha formave të dhunës ndaj gazetarëve dhe mediave.
Rrjeti SafeJournalists do të informojë palët e interesuara përkatëse kombëtare dhe ndërkombëtare për këtë rast.
Çdo sulm ndaj gazetarëve është sulm ndaj interesit publik, demokracisë dhe të drejtave të të gjithë qytetarëve.
Prishtinë – Shkup – Sarajevë – Zagreb – Beograd – Podgoricë, 28.04.2024
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës
Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë
Shoqata e Gazetarëve të BH
Shoqata e Gazetarëve Kroatë
Shoqata e Gazetarëve të Pavarur të Serbisë
Sindikata e Mediave të Malit të Zi