SafeJournalists: Ministria e Brendshme në Maqedoni të Veriut duhet të kryejë hetime serioze lidhur me shkatërrimin e veturës së gazetarit

Burimi: SJ
SafeJournalists: Ministria e Brendshme në Maqedoni të Veriut duhet të kryejë hetime serioze lidhur me shkatërrimin e veturës së gazetarit
photo:

Rrjeti SafeJournalists dënon ashpër sulmin ndaj veturës së gazetarit Blagoj Sersemov, redaktor i televizionit lokal dhe portalit “M-Net” në Maqedoninë e Veriut.

Vetura e Sersemovit mbrëmë është djegur nga persona të panjohur në oborrin e shtëpisë së familjes së tij në Shtip. Ky sulm serioz dhe i qëllimshëm jo vetëm që shkatërroi veturën, por ishte gjithashtu një sulm i drejtpërdrejtë ndaj familjes dhe fqinjëve të gazetarit, duke paraqitur një rrezik serioz potencial për mirëqenien e tyre.

“Unë e konsideroj këtë një sulm të drejtpërdrejtë ndaj të gjitha mediave, jo vetëm ndaj meje personalisht. Siguria e anëtarëve të familjes sime gjithashtu është cenuar ndjeshëm”, deklaroi Blagoj Sersemov duke komentuar këtë shkatërrim të qëllimshëm të pronës së tij personale,

Sersemov këtë vit është përballur edhe me presione juridike, pasi merret me padi të pabaza për shpifje, për të cilat ekipi juridik i Asociacionit të Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) është duke e përfaqësuar atë në Gjykatën Themelore në Shtip.

Sulmet dhe kërcënimet  të kësaj natyre janë të papranueshme në një shoqëri demokratike që përpiqet të mbrojë të drejtat e medias dhe sigurinë e të gjithë gazetarëve. Ky nuk është thjesht një akt fizik i shkatërrimit të pronës, por synon heshtjen e gazetarëve dhe frikësimin e të gjithë sektorit mediatik në vend.

Rrjeti SafeJournalists, që përfaqëson profesionistë të medias në Ballkanin Perëndimor, i bën thirrje Ministrisë së Brendshme në Maqedoninë e Veriut që të ndërmarrë veprime të menjëhershme për një hetim të plotë dhe të shpejtë të rastit, për të identifikuar dhe sjellë autorët para drejtësisë. Sulme të tilla nuk duhet të mbeten pa u ndëshkuar dhe zgjidhja e tyre duhet të shërbejë si një pengesë për ata që mendojnë se në këtë mënyrë mund t’i heshtin gazetarët.

Rrjeti SafeJournalists do të informojë aktorët përkatës kombëtarë dhe ndërkombëtarë për këtë rast.

Çdo sulm ndaj gazetarëve është sulm ndaj interesit publik, demokracisë dhe të drejtave të të gjithë qytetarëve.

Prishtinë – Shkup – Sarajevë – Zagreb – Beograd – Podgoricë, 24.10.2024

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë

Shoqata e Gazetarëve të BH

Shoqata e Gazetarëve Kroatë

Shoqata e Gazetarëve të Pavarur të Serbisë

Sindikata e Mediave të Malit të Zi

*Pas publikimit të njoftimit publik të Rrjetit SafeJournalists, Policia dhe Prokuroria Publike ndërmorën veprime serioze për zbardhjen e rastit. Prokuroria Themelore Publike në Shtip ka vepruar dhe ka lëshuar urdhra dhe udhëzime për zbardhjen e rastit të automjetit të djegur të redaktorit të një televizioni lokal. Urdhra janë dhënë për kryerjen e ekspertizave përkatëse për përcaktimin e shkaqeve të zjarrit dhe identifikimin e autorëve të mundshëm të një krimi të mundshëm. Policia ka njoftuar se gjatë natës së kaluar pas raportimit të rastit, me shpejtësi në terren kanë dalë zyrtarë policorë dhe zjarrfikës, zjarri është shuar dhe nuk ka persona të lënduar.