SafeJournalists: Ndalimi i gazetarëve shqiptarë për të hyrë në Greqi – shkelje e lirisë së shtypit

SafeJournalists: Ndalimi i gazetarëve shqiptarë për të hyrë në Greqi – shkelje e lirisë së shtypit
photo: canva

Më 2 nëntor 2024, autoritetet greke mbajtën pa të drejtë gazetarë shqiptarë (Fjorela Beleshi dhe Elja Zotka) dhe grupe xhiruese të A2 CNN dhe TV Klan për mbi katër orë në pikën kufitare të Kapshticës. Ekipet po udhëtonin për në Selanik për të mbuluar një takim publik të Kryeministrit shqiptar Edi Rama me diasporën shqiptare në Greqi. Pavarësisht se kishin kredenciale të vlefshme dhe ishin në përputhje me kërkesat e autoriteteve greke – duke përfshirë dhënien e një note verbale nga Ministria shqiptare për Evropën dhe Punët e Jashtme – pasaportat e gazetarëve dhe ekipeve të xhirimit u konfiskuan përkohësisht dhe atyre iu ndalua kalimi pa miratimin e qartë nga Ministria e Jashtme greke. Zyrtarët grekë të kufirit i kufizuan më tej gazetarët duke u përpjekur t’i pengonin ata të dokumentonin situatën përmes raportimit të drejtpërdrejtë nga telefonat e tyre, duke penguar aftësinë e gazetareve për të raportuar për situatën në kohë reale.

Megjithëse gazetaret dhe ekipet e xhirimit u lejuan përfundimisht të kalonin pikën kufitare pas marrjes së miratimit të kërkuar nga Ministria e Jashtme greke, Rrjeti SafeJournalists (SJN) e dënon ashpër këtë incident si një pengim të papranueshëm të punës gazetareske. Ky ndalim i hyrjes, i lidhur jo me arsye të respektimit të rregullave doganore, por me lejet burokratike të minutës së fundit dhe kërkesat e paqarta për autorizime diplomatike, mund të konsiderohet si shkelje e angazhimit evropian për lirinë e shtypit dhe lëvizjen e lirë të njerëzve, përfshirë gazetarët. Vonesat e tepërta administrative të imponuara pa justifikim minojnë mundësitë e gazetarëve për të raportuar lirisht dhe në mënyrë transparente, duke kërcënuar vlerat thelbësore demokratike.

Ne u bëjmë thirrje autoriteteve greke të japin një shpjegim zyrtar për ndalimin e gazetarëve në kufi dhe të sqarojnë kërkesat specifike të vendosura. Komunikimi transparent është thelbësor për të forcuar besimin dhe për të parandaluar incidentet e ardhshme. Autoritetet shtetërore duhet të komunikojnë paraprakisht çdo kërkesë për gazetarët e huaj për të shmangur vonesat që pengojnë raportimin ndërkufitar. Këto udhëzime duhet të përputhen me parimet evropiane që mbrojnë lirinë e shtypit dhe mundësojnë aksesin e gazetarëve.

Për të parandaluar incidente të ngjashme, i bëjmë thirrje Ministrisë Shqiptare për Evropën dhe Punët e Jashtme të forcojë protokollet dhe marrëveshjet diplomatike me vendet fqinje për të siguruar që gazetarët shqiptarë të lëvizin dhe të raportojnë lirshëm. Gjithashtu kërkojmë që autoritetet shqiptare të kërkojnë një përgjigje zyrtare nga homologët e tyre grekë për arsyet e ndalimit të hyrjes. Ne vërejmë reagimin e qeverisë shqiptare për të ndihmuar gazetarët dhe rekomandojmë krijimin e një mekanizmi formal për të ofruar mbështetje të shpejtë konsullore për gazetarët shqiptarë që përballen me ndalimin në kufi ose pengim e ushtrimit të detyrës jashtë vendit.

Rrjeti SafeJournalists u bën thirrje organizatave mediatike dhe shoqatave të gazetarëve në Shqipëri, Greqi dhe Evropë të bashkohen për të dënuar këtë incident. Advokimi kolektiv është thelbësor për të përforcuar lirinë e shtypit dhe për të siguruar protokolle transparente për kalimin e ekipeve të mediave në rastet ndërkufitare. Angazhimi i institucioneve të BE-së dhe organizatave ndërkombëtare për lirinë e medias do të nxjerrë në pah këto çështje dhe do të inkurajojë mbikëqyrjen e BE-së për të siguruar respektimin e parimeve të lirisë së shtypit në të gjithë shtetet anëtare.

Rrjeti qëndron në krah të gazetarëve shqiptarë të prekur nga ky incident. Ne i bëjmë thirrje BE-së të sigurojë që shtetet anëtare t’u përmbahen parimeve që mbështesin lirinë e shtypit, transparencën dhe mbrojtjen e të drejtave të gazetarëve përtej kufijve. Liria e shtypit është një gur themeli i demokracisë dhe incidente të tilla nuk duhet të tolerohen.

 

Rrjeti SafeJournalists do të informojë aktorët përkatës kombëtarë dhe ndërkombëtarë për këtë rast.

Çdo sulm ndaj gazetarëve është sulm ndaj interesit publik, demokracisë dhe të drejtave të të gjithë qytetarëve.

 

Prishtinë – Shkup – Sarajevë – Zagreb – Beograd – Podgoricë, 4.11.2024 

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë

Shoqata e Gazetarëve të BH

Shoqata e Gazetarëve Kroatë

Shoqata e Gazetarëve të Pavarur të Serbisë

Sindikata e Mediave të Malit të Zi