SafeJournalists: Ndalimi i TikTok në Shqipëri ngre shqetësime për lirinë e shprehjes

Burimi: SJ
SafeJournalists: Ndalimi i TikTok në Shqipëri ngre shqetësime për lirinë e shprehjes
photo: canva

Më 22 dhjetor 2024, Kryeministri shqiptar Edi Rama njoftoi ndalimin për një vit të TikTok, i cili do të nisë në janar 2025, pas goditjes fatale me thikë të një djali 14-vjeçar në Tiranë. Incidenti, i cili raportohet të ketë lindur nga një përplasje mes adoleshentëve të përfshirë në mediat sociale (sipas të gjitha gjasave TikTok dhe Snapchat), ka shtuar shqetësimet për ndikimin e platformave si TikTok në sjelljen e të rinjve. Rama e kritikoi TikTok-un si “banditin e lagjes”, duke shprehur shqetësime për përmbajtjen dhe ndikimin e tij tek fëmijët. Ai theksoi nevojën për programe edukative që të orientojnë nxënësit dhe ndihmojnë prindërit në monitorimin e aktiviteteve të fëmijëve të tyre online. Në përgjigje, TikTok deklaroi se po kërkon sqarime urgjente nga qeveria shqiptare lidhur me ndalimin e propozuar dhe përmendi se nuk kishte gjetur asnjë provë që lidhnin individët e përfshirë në incident me llogaritë e TikTok-ut.

Rrjeti SafeJournalists po e ndjek nga afër këtë zhvillim dhe thekson rëndësinë e adresimit të sjelljes dëmprurëse online në mënyra që respektojnë parimet demokratike, përfshirë të drejtën për lirinë e shprehjes. Platforma të tilla si mediat sociale janë bërë pjesë thelbësore e diskursit publik modern dhe çdo kufizim duhet të merret me kujdes, për t’u siguruar që nuk shkelin të drejtat themelore ose krijojnë një precedent për censurë të paarsyeshme.

Në vend që të vendoset një ndalim i përgjithshëm, ne argumentojmë se Shqipëria duhet të adoptojë një qasje më të hapur, proporcionale dhe konsultative për rregullimin e platformave digjitale. Kjo përfshin përshtatjen me standardet ndërkombëtare, siç është Akti i Shërbimeve Digjitale i Bashkimit Evropian (DSA), i cili ofron një kuadër për adresimin e përmbajtjes dëmprurëse, duke mbrojtur të drejtat themelore, përfshirë lirinë e shprehjes. Ne besojmë se kjo është qasja e duhur për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, për të kuadruar çdo përpjekje për të rregulluar platformat digjitale brenda DSA-së dhe standardeve të Këshillit të Evropës. Angazhimi me të gjitha palët e interesuara, si shoqëria civile, akademia, sektori privat, ekspertët dhe operatorët e platformave, është kyç për të siguruar që masat të jenë efektive dhe që respektojnë të drejtat.

Liria e shprehjes është një gur themeli i demokracisë dhe duhet të mbetet në thelb të çdo politike që merret me përmbajtjen online. Ne inkurajojmë qeverinë shqiptare të rishikojë qasjen aktuale dhe të përqendrohet në zgjidhje rregullative që balancojnë sigurinë me mbrojtjen e lirisë themelore. Një proces i hapur dhe përfshirës do të ndihmojë në mbrojtjen e proceseve demokratike dhe lirisë së shprehjes, duke adresuar shqetësimet legjitime që ka ngritur ky ngjarje tragjike.

 

Rrjeti i SafeJournalists

Prishtinë – Shkup – Sarajevë – Zagreb – Beograd – Podgoricë, 25.12.2024

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë

Shoqata e Gazetarëve të BH

Shoqata e Gazetarëve Kroatë

Shoqata e Pavarur e Gazetarëve të Serbisë

Sindikata e Mediave të Malit të Zi