SafeJournalists: Përpjekjet e Koordinuara Kundër Citizens Channel në Shqipëri duhet të ndalojnë

SafeJournalists: Përpjekjet e Koordinuara Kundër Citizens Channel në Shqipëri duhet të ndalojnë
photo: canva

Rrjeti SafeJournalists është i shqetësuar nga përpjekjet e koordinuara për të minuar Citizens Channel, një media jofitimprurëse dhe e pavarur në Shqipëri. Veprimet e fundit për të raportuar dhe hequr përmbajtjen e Citizens Channel nga faqja e tyre në Facebook nën maskën e shkeljeve të tilla si spam ose thyerja e rregullave të Facebook-ut, përfaqësojnë një kërcënim të drejtpërdrejtë për gazetarinë e pavarur dhe kritike dhe të drejtën e qytetarëve për informacion cilësor.

Këto veprime pasuan raportimin e Citizens Channel për çështje me interes publik, përfshirë ndërtimin e Teatrit Kombëtar dhe dhënien e lejeve për ndërtime rrokaqiejsh nga bashkia e Tiranës. Artikujt ekspozuan se si kompanitë e ndërtimit po marrin dhe pushtojnë tokën publike. Përmbajtjet e tjera të hequra i referohen raportimeve për abuzime me burimet natyrore dhe rezistencën e komuniteteve në Thirrë (Mirditë) dhe Zall Gjocaj (Mat) kundër shkatërrimit të natyrës.

Është shqetësuese të vëzhgosh një “ushtri digjitale” që orkestron një fushatë kundër Citizens Channel, duke synuar artikuj që datojnë që nga viti 2021, me qëllimin e dukshëm për të mbyllur platformën e tyre, duke dëmtuar kështu drejtpërdrejt praninë e tyre digjitale, shtrirjen dhe marrëdhëniet me audiencën e tyre.

Këto sulme jo vetëm që cenojnë të drejtat e Citizens Channel për të raportuar dhe informuar, por edhe frikësojnë subjektet e tjera të medias dhe gazetarët, duke cënuar potencialisht gazetarinë investigative dhe raportimin kritik në Shqipëri.

U bëjmë thirrje autoriteteve dhe platformave online që të ndërmarrin veprime të menjëhershme dhe vendimtare për të mbrojtur Citizens Channel dhe për të garantuar integritetin dhe sigurinë e përmbajtjes gazetareske në internet. Ne i bëjmë thirrje Facebook-ut që të rishikojë menjëherë veprimet e ndërmarra kundër përmbajtjes së Citizens Channel. Çdo përmbajtje që është hequr padrejtësisht duhet të rikthehet.

Rrjeti SafeJournalists qëndron në solidaritet me Citizens Channel dhe të gjitha subjektet mediatike që përballen me kërcënime të ngjashme. Ne jemi të përkushtuar të advokojmë për një peizazh digjital ku përmbajtja gazetareske respektohet dhe mbrohet. Është e domosdoshme që të gjithë palët e interesuara të solidarizohen me Citizens Channel dhe komunitetin e gjerë gazetaresk në Shqipëri për të mbrojtur lirinë e medias dhe të drejtën për informim.

Rrjeti SafeJournalists do të vazhdojë të monitorojë nga afër këtë situatë dhe të advokojë për të drejtat dhe sigurinë e gazetarëve në Shqipëri dhe më gjerë.

Rrjeti SafeJournalists do të informojë palët e interesuara përkatëse kombëtare dhe ndërkombëtare për këtë rast.

Belgrade – Podgorica – Pristina – Sarajevo – Skopje – Zagreb– 4 Prill, 2024

Association of Journalists of Kosovo

Association of Journalists of Macedonia

BH Journalists Association

Croatian Journalists’ Association

Independent Journalists Association of Serbia

Trade Union of Media of Montenegro