SafeJournalists: Policia nuk bëri asgjë për ta parandaluar dhunën në Novi Sad, përgjegjësit të përballen me pasojat

Burimi: SJ
SafeJournalists: Policia nuk bëri asgjë për ta parandaluar dhunën në Novi Sad, përgjegjësit të përballen me pasojat
photo: N1, canva

Ekipet e gazetarëve të televizioneve N1 dhe Euronews janë sulmuar mbrëmë gjatë një proteste të mbajtur në Novi Sad, Serbi, me rastin e vdekjes së 14 personave në stacionin hekurudhor në këtë qytet. Ndonëse në vendngjarje ka qenë një numër i madh i zyrtarëve policorë, asnjëri prej tyre nuk ka reaguar.

Gazetarja e televizionit N1, Zaklina Tatalovic dhe kameramani Nikola Popovic fillimisht janë fyer dhe penguar në punën e tyre gjatë transmetimit të drejtpërdrejtë nga Sheshi Liria, derisa Popovic është sulmuar edhe fizikisht.

Atyre u është afruar disa herë një person i panjohur, i cili i ofendoi, u tregoi gishtin e mesëm dhe i shau ata, duke përdorur edhe terma seksiste. Pak më vonë tek Popovic u afrua një person dhe e goditi atë në duar, dhe si rezultat atij i ka rënë kamera nga duart dhe më pas i është dëmtuar.

Pak më vonë, një tjetër incident ndodhi në premisat e komitetit të qytetit të Partisë Progresive Serbe (SNS) në pushtet, në bulevardin Oslobodenja, kur kameramani i Euronews, Mirko Todorovic është goditur dhe është rrëzuar përtokë.

Më saktë, pasi presidenti Aleksandar Vucic mblodhi përkrahësit e tij para ambienteve të SNS-së për t’iu drejtuar atyre, erdhën gazetarët për të raportuar, por qytetarët e mbledhur nuk i lejuan ta bëjnë një gjë të tillë. Kur Vucic u largua, shpërtheu një përleshje midis mbështetësve të SNS-së dhe pjesëmarrësve të protestës, dhe më pas një person goditi një kameraman të Euronews-it dhe e rrëzoi në tokë.

Një numër i madh policësh, si me uniforma për prishjen e demonstratave ashtu edhe me rroba civile, ishin të pranishëm në qendër të Novi Sadit, gjë që u pa në transmetime të drejtpërdrejta, por askush nuk reagoi ndaj sulmit ndaj ekipit të televizionit N1. Gjithashtu, nuk ka pasur asnjë reagim të policisë për sulmin ndaj ekipit të Euronews. Të dy sulmet u raportuan më pas në institucionet kompetente.

Asociacioni i Gazetarëve të Pavarur të Serbisë dënon ashpër dhunën që ndodhi mbrëmë në Novi Sad, veçanërisht sulmet ndaj gazetarëve.

Rrjeti SafeJournalists, që përfaqëson profesionistët e medias në Ballkanin Perëndimor, i bashkohet Asociacionit të Gazetarëve të Serbisë dhe dënon sjelljen e policisë që nuk bëri asgjë për ta parandaluar dhunën apo arrestimin e autorëve, dhe është e qartë se kishte polici në rrugët e Novi Sadit. Besojmë se ata që urdhëruan policinë të vëzhgojë ngjarjet në heshtje janë përgjegjës për dhunën që ndodhi mbrëmë në Novi Sad.

Rrjeti kërkon që institucionet të identifikojnë keqbërësit dhe t’u bëjë thirrje atyre që të paraqiten në gjykatë, si dhe të përcaktojnë përgjegjësinë e policisë për ngjarjet e mbrëmshme. Ftojmë gazetarët të raportojnë të gjitha rastet e kërcënimeve dhe ngacmimeve gjatë raportimit për ngjarjet e djeshme.

Rrjeti SafeJournalists do të informojë aktorët përkatës vendorë dhe ndërkombëtarë për këtë rast.

Çdo sulm ndaj gazetarëve është sulm ndaj interesit publik, demokracisë dhe të drejtave të të gjithë qytetarëve.

Prishtinë – Shkup – Sarajevë – Zagreb – Beograd – Podgoricë, 6 nëntor 2024

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës

Asociacioni i Gazetarëve të Maqedonisë

Asociacioni i Gazetarëve të BH

Asociacioni i Gazetarëve Kroatë

Asociacioni i Gazetarëve të Pavarur të Serbisë

Sindikata e Mediave të Malit të Zi