SafeJournalists: Sulm i papranueshëm ndaj gazetares dhe kameramanit gjatë protestës në Shqipëri

SafeJournalists: Sulm i papranueshëm ndaj gazetares dhe kameramanit gjatë protestës në Shqipëri

Rrjeti SafeJournalists dënon ashpër sulmin e dhunshëm ndaj gazetares së Top News Alketa Shaba dhe operatorit të saj gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë të protestës së Partisë Demokratike në Tiranë më 7 tetor 2024.

Sulmi ndodhi në fund të protestës teksa protestuesit lëviznin drejt rrugës Mustafa Matohiti, ku prej muajsh anëtarë të Partisë Demokratike mblidhen për të mbështetur ish-kryeministrin Sali Berisha, i cili aktualisht ndodhet në arrest shtëpie i akuzuar për korrupsion dhe në pritje të gjykimit. Gjatë raportimit live nga vendi i ngjarjes, një qytetar ka ofenduar dhe sulmuar fizikisht si gazetaren ashtu edhe operatorin, sulmi është përshkallëzuar derisa kalimtarët e rastit kanë ndërhyrë për të parandaluar dhunën e mëtejshme.

Alketa Shaba ka informuar Rrjetin e SafeJournalists se ka bërë një kallëzim në polici mëngjesin e 8 tetorit 2024. Rrjeti e mirëpret këtë hap dhe u kërkon autoriteteve të kryejnë një hetim të plotë dhe në kohë për këtë sulm, duke siguruar që sulmuesit të mbajnë përgjegjësi. Është thelbësore që ky rast të trajtohet me peshën që meriton, pasi nënvizon rreziqet në rritje të gazetarëve në kryerjen e detyrave të tyre në Shqipëri.

Ky sulm ndodhi në mes të trazirave të vazhdueshme politike në Shqipëri, ku mbështetësit e opozitës u përleshën me policinë dhe hodhën kokteje molotov gjatë protestës në kryeqytet më 7 tetor në mbrëmje. Gjatë protestës, së udhëhequr nga Partia Demokratike e ish-kryeministrit Sali Berisha, demonstruesit kërkonin zëvendësimin e qeverisë aktuale me një kabinet të përkohshëm teknokratik përpara zgjedhjeve parlamentare të vitit të ardhshëm. Opozita akuzon Partinë Socialiste të kryeministrit Edi Rama për korrupsion dhe minim të institucioneve demokratike, me protestat që u përshkallëzuan pas burgosjes së një anëtari të partisë, një rast që opozita e konsideron të motivuar politikisht.

Ajo që është veçanërisht alarmante në këtë rast është se si retorika nxitëse kundër medias, veçanërisht kur përdoret nga figura politike, mund të përshkallëzohet me shpejtësi në dhunë në botën reale. Ky sulm shërben si një tjetër kujtesë e ashpër se si gjuha armiqësore e drejtuar ndaj gazetarëve mund të çojë në dhunë fizike, duke paraqitur një kërcënim serioz për lirinë e shtypit dhe duke minuar parimet demokratike.

Rrjeti SafeJournalists u bën thirrje autoriteteve shqiptare, liderëve politikë dhe shoqërisë civile të denoncojnë të gjitha format e dhunës kundër shtypit dhe të forcojnë mbrojtjen për profesionistët e medias. E drejta për të raportuar pa frikë nga dhuna, frikësimi ose ngacmimi është thelbësore për ruajtjen e një shoqërie të lirë dhe demokratike. Në solidaritet me Alketa Shabën, kolegët e saj në Top News dhe të gjithë gazetarët në Shqipëri, rikonfirmojmë angazhimin tonë për të mbështetur lirinë e shtypit dhe për të mbrojtur të drejtat e të gjithë profesionistëve të medias.

Rrjeti SafeJournalists do të informojë aktorët përkatës kombëtarë dhe ndërkombëtarë për këtë rast.

Çdo sulm ndaj gazetarëve është sulm ndaj interesit publik, demokracisë dhe të drejtave të të gjithë qytetarëve.

Prishtinë – Shkup – Sarajevë – Zagreb – Beograd – Podgoricë, 10.10.2024

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë

Shoqata e Gazetarëve të BH

Shoqata e Gazetarëve Kroatë

Shoqata e Gazetarëve të Pavarur të Serbisë

Sindikata e Mediave të Malit të Zi