Dje, tre televizione me frekuenca kombëtare transmetuan një video të manipuluar me autor të panjohur, në të cilën mediat e pavarura e që janë të zëshme e kritike ndaj pushtetit, mbi të gjitha televizioni N1, akuzohen se kanë dehumanizuar Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, “për të krijuar një justifikim nesër për një person të paqëndrueshëm mendërisht, i cili do të përpiqej të bënte atë që Thomas Matthew Crooks u përpoq të bënte me Donald Trump”.
Videoja fillon me klip nga filmi dokumentar “Sundimtari” i transmetuar në televizionin N1, ku pjesëmarrësit shprehin cilësitë që shohin tek Presidenti i Republikës, dhe vazhdon me prezantimin e përmbajtjeve të ndryshme nga interneti: kërcënime anonime, statuse në rrjetet sociale, viideo nga protestat; dhe disa përmbajtje që janë publikuar në media që janë të zëshme e kritike ndaj pushtetit, janë nxjerrë jashtë kontekstit dhe janë paraqitur si kërcënime ndaj presidentit Vuçiq.
E njëjta video u shpërnda nga tabloidet pro-qeveritare në platformat e tyre të internetit, të cilat gjatë vitit 2023, publikuan të paktën 628 tekste fyese kundër këtyre mediave, sipas Fondacionit Slavko Ćuruvija.
Ndonëse nuk dihen autorët e videos së kontestuar, duket qartë se bëhet fjalë për një fushatë të sinkronizuar dhe të mirëorganizuar kundër mediave të pavarura, e cila u pranua edhe nga strukturat në pushtet përmes komenteve dhe citimeve të shpeshta të videos së kontestuar. Si pasojë, N1, tashmë ka marrë kërcënime serioze. Fushata të ngjashme janë nisur edhe më parë. Në shënjestër ishte edhe televizioni N1, dhe në fillim të këtij viti, si shembull i shënjestrim të rëndë, u zhvillua një fushatë e paskrupullt kundër gazetarëve Ana Lalić Hegediš dhe Dinko Gruhonjić, të cilët morën qindra kërcënime e ofendime dhe siguria fizike e të cilëve është ende në rrezik.
Meqenëse Ligji për Mediat Elektronike (ELM) parasheh që Organi Rregullativ për Media Elektronike (REM) të kryejë kontroll dhe mbikëqyrje mbi punën e ofruesve të shërbimeve mediatike dhe siguron zbatimin konsistent të dispozitave të këtij ligji, kërkojmë nga REM që të inicojë procedura e vlerësimit sa më të shpejtë të përmbajtjes që është transmetuar në tre televizionet me mbulim kombëtar.
Sipas ZEM, ofruesi i shërbimit mediatik është i detyruar të ofrojë informacion falas, të vërtetë, objektiv, të plotë dhe në kohë.
Gjithashtu, sipas Rregullores për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut në Fushën e Shërbimeve Mediatike (Rregullor), të cilin REM e miratoi këtë vit, “ofruesi i shërbimeve mediatike është i detyruar të sigurojë vërtetësinë dhe plotësinë e informacionit, gjegjësisht besueshmërinë dhe plotësinë e informacionit, të ideve dhe opinioneve që publikon, veçanërisht në emisionet e lajmeve dhe aktualiteteve me vëmendje të përshtatshme për rrethanat dhe në përputhje me rregullat e profesionit të gazetarit”.
Sipas të njëjtit dokument, ofruesi i shërbimit mediatik është gjithashtu i detyruar të “sigurojë që përmbajtja e videos ose fotos të mos mashtrojë publikun në lidhje me personin, ngjarjen ose fenomenin që është subjekt i informacionit ose është subjekt i videos apo fotos”.
Videoja e transmetuar në televizionet e përmendura mashtron opinionin, se qëllimi i mediave të zëshme e kritike, është të frymëzojë “ndonjë person të paqëndrueshëm mendërisht” për të dëmtuar Presidentin e Republikës së Serbisë dhe paraqet shënjestrimin e mediave dhe gazetarëve që punojnë në ato media, andaj transmetimi i tij nuk është në përputhje me ligjin dhe Rregulloren.
Rregullorja po ashtu thotë: “Nëse informacioni është marrë nga një medium tjetër, ofruesi i shërbimit medial është i obliguar ta përmend emrin e asaj medie”.
Duke qenë se video është shfaqur në tre televizione në kohën e transmetimit të lajmeve, presim që REM të përcaktojë dhe të njoftojë se cili televizion është burimi i informacionit, pra kush e ka dorëzuar videon e diskutueshme në media.
Rrjeti SafeJournalists, i cili përfaqëson profesionistët e medias në Ballkanin Perëndimor, i bashkohet anëtarit të tij, Shoqatës së Gazetarëve të Pavarur të Serbisë, duke kërkuar që institucionet kompetente të ndërmarrin të gjitha hapat për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të kësaj video keqdashëse, e cila mund të kërcënojë seriozisht sigurinë kolegëve tanë. Gjithashtu, u bëjmë thirrje bartësve të posteve shtetërore që të përmbahen nga nxitja e mëtejshme e urrejtjes ndaj gazetarëve, sepse siç ka treguar në të kaluarën vazhdimisht, fushata të tilla mund të çojnë në pasoja fatale.
Rrjeti SafeJournalists do të informojë palët përkatëse kombëtare dhe ndërkombëtare.
Çdo sulm ndaj gazetarëve është sulm ndaj interesit publik, demokracisë dhe të drejtave të të gjithë qytetarëve.
Prishtinë – Shkup – Sarajevë – Zagreb – Beograd – Podgoricë, 17.07.2024
Association of Journalists of Kosovo
Association of Journalists of Macedonia
BH Journalists Association
Croatian Journalists’ Association
Independent Journalists Association of Serbia
Trade Union of Media of Montenegro