Dënojmë fuqishëm sulmet fizike ndaj gazetarëve të CIN dhe kërcënimet politike ndaj mediave të pavarura në Republika Srpska

Dënojmë fuqishëm sulmet fizike ndaj gazetarëve të CIN dhe kërcënimet politike ndaj mediave të pavarura në Republika Srpska
photo: canva

Rrjeti SafeJournalists dënon fuqishëm sulmin fizik ndaj ekipit të gazetarëve të Qendrës për Gazetari Hulumtuese nga Sarajeva, që ndodhi në Brčko, si dhe kërcënimet dhe sulmet politike disa ditore nga Presidenti i Republikës Sërpska, Milorad Dodik, ndaj mediave të pavarura në Republikën Sërpska (RS). Dhuna e organizuar, përfshirë sulmet fizike, nxitjen dhe ekspozimin e gazetarëve dhe shtëpive mediatike ndaj rreziqeve të sigurisë janë vepra penale në Bosnje dhe Hercegovinë dhe përbëjnë një thirrje alarmante për policinë dhe gjyqësorin që të hetojnë incidentet dhe të ndëshkojnë autorët.

Gazetarja e Qendrës për Gazetari Hulumtuese (CIN), Renata Radić-Dragić dhe kameramani Dženat Dreković u sulmuan fizikisht pasditen e së enjtes, më 27 shkurt, përpara një qendre tregtare në Brčko, ndërsa po xhironin për një storie hulumtuese për politikanin dhe biznesmenin Zoran Kokanović, anëtar i Asamblesë Kombëtare të RS. Tre persona dolën me vrap nga qendra tregtare dhe sulmuan ekipin e CIN për të ndaluar xhirimet. Krahas sharjeve dhe shtyrjeve, sulmuesit shkaktuan lëndime të lehta trupore kameramanit Dreković, dëmtuan pajisjet dhe shkaktuan stres te gazetarja Radić-Dragić, për të cilën u rekomandua trajtim i mëtejshëm mjekësor. Hetuesit nga Policia dhe Prokuroria e Brçkos reaguan me efikasitet, përcaktuan rrethanat e incidentit dhe njoftuan ngritjen e kallëzimeve penale ndaj një personi.

Në mbrëmjen e së njëjtës ditë, në sallën e Asamblesë Kombëtare të RS në Banja Luka, këshilltari i Presidentit të RS, Branislav Okuka, sulmoi verbalisht gazetarët e BNTV, Al Jazeera dhe RTL, duke i tërhequr për mëngë dhe duke iu afruar në fytyrë, duke i penguar në kryerjen e detyrave gazetareske. Edhe pse këshilltari Okuka kërkoi falje përmes profilit të tij në platformën X, kjo reagim formal nuk i zbuti pasojat e sjelljes së tij skandaloze, veçanërisht duke marrë parasysh se ai mban një funksion publik. Në ditët e dhunës ndaj gazetarëve, kujtojmë gjithashtu edhe kërcënimet e ashpra verbale të Presidentit të RS, Milorad Dodik, gjatë një tubimi në Banja Luka (më 26 shkurt 2025). Presidenti Dodik akuzoi redaktorët dhe pronarët e portalit të lajmeve BUKA dhe Capital, si dhe televizionin BN, se kishin marrë qindra mijëra dollarë nga USAID për të “shkatërruar Republikën Sërpska” dhe atë personalisht, duke thënë se “populli duhet t’i gjykojë për këtë”.

Lidhur me rritjen e dhunës ndaj gazetarëve dhe mediave, Tamara Filipović, koordinatore e rrjetit SafeJournalists, deklaroi:
“Dhuna e fundit ndaj gazetarëve në Bosnje dhe Hercegovinë është nxitur nga veprimet e politikanëve dhe zyrtarëve të lartë shtetërorë. Nëse kjo vazhdon, kemi frikë se do të përshkallëzohet dhe spirali i dhunës do të bëhet i pandalshëm. U bëjmë thirrje autoriteteve të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për të sjellë autorët para drejtësisë, dhe që politikanët dhe zyrtarët shtetërorë të kthehen në kornizën ligjore dhe morale të sjelljes së duhur.”

Rrjeti SafeJournalists mbetet i përkushtuar për të monitoruar me kujdes situatën në Republikën Sërpska dhe në të gjithë vendin, duke shprehur mbështetje të fuqishme dhe solidaritet me gazetarët në Bosnje dhe Hercegovinë në përpjekjet e tyre për të ruajtur lirinë e medias dhe integritetin profesional.

Prishtinë – Shkup – Sarajevë – Zagreb – Beograd – Podgoricë, 1 Mars 2025

Shoqata e Gazetarëve të Kosovës
Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë
Shoqata e Gazetarëve të BH
Shoqata e Gazetarëve të Kroacisë
Shoqata e Pavarur e Gazetarëve të Serbisë
Unioni i Mediave të Malit të Zi