Shqipëria: MFRR dhe SJN dënojnë intimidimin e hapur ndaj gazetarëve që raportuan për zgjedhjet parlamentare

Shqipëria: MFRR dhe SJN dënojnë intimidimin e hapur ndaj gazetarëve që raportuan për zgjedhjet parlamentare
photo: canva

Mekanizmi për Përgjigje të Shpejtë për Lirinë e Medias (MFRR) dhe Rrjeti SafeJournalists (SJN) ngrenë alarmin për një numër incidentesh të intimidimit dhe pengesave ndaj gazetarëve që raportuan për zgjedhjet parlamentare në Shqipëri. Që nga dita e votimit e 11 majit, të paktën 20 gazetarë dhe entitete mediatike janë përballur me ndërhyrje dhe presion gjatë raportimit, përfshirë edhe nga zyrtarë publikë. Të gjitha incidentet janë dokumentuar në disa video.

Gjatë gjithë ditës së zgjedhjeve, të paktën pesë gazetarë që mbulonin procesin e votimit u përballën me incidente shqetësuese në mbarë vendin, përfshirë fyerje verbale, agresion fizik dhe ndërhyrje në punën e tyre gazetareske. Incidentet e dokumentuara nga MFRR dhe SJN në atë ditë përfshijnë sulmin fizik ndaj gazetarit Armando Rabi në Gjirokastër, fshirjen e detyruar të materialeve të regjistruara nga telefoni i Erisa Xhindole në Pogradec, si dhe një përplasje të dhunshme me gazetaren e Syri TV, Ambrozia Meta, dhe ekipin e saj nga deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, gjatë një transmetimi live nga një zyrë zgjedhore jozyrtare në Tiranë.

Gazetarët u përballën gjithashtu me kufizime arbitrare nga stafi i qendrave të votimit, në kundërshtim me Kodin Zgjedhor të Shqipërisë. Vëzhgues të akredituar të medias në Durrës u penguan të dokumentonin procesin e votimit, ndërsa në Sarandë, gazetari i Euronews Albania, Enriko Gaba, u lejua të filmonte vetëm për 15 minuta, sërish në kundërshtim me rregullat zyrtare që u garantojnë akses punonjësve të medias. Gaba ishte përballur më herët me pengesa edhe gjatë zgjedhjeve lokale në gusht të vitit 2024 nga zyrtarë të zgjedhur.

Në kontekstin e zgjedhjeve, zyrtarët publikë kanë një detyrim të veçantë për të garantuar procese zgjedhore transparente, duke u mundësuar gazetarëve të monitorojnë fushatat, procedurat e votimit dhe numërimin e votave pa pengesa apo dhunë. Këto incidente sjellin shqetësime serioze në lidhje me gjendjen e lirisë së shtypit dhe rrjedhën e lirë të informacionit në Shqipëri, ndërkohë që autoritetet kanë dështuar të ofrojnë një mjedis që garanton raportim të drejtë, të paanshëm dhe transparencë gjatë procesit zgjedhor.

Pas shpalljes së rezultateve të votimeve, janë raportuar edhe incidente të tjera që përfshijnë zyrtarë të Partisë Demokratike të Shqipërisë (PD). Të paktën 10 raste fyerjesh verbale janë regjistruar ndërsa gazetarët po raportonin për humbjen e partisë. Ndër këto raste, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, ka diskredituar dhe refuzuar vazhdimisht pyetjet e gazetarëve të Report TV dhe A2 CNN. Gjatë protestës së organizuar nga Partia Demokratike më 16 maj, për të denoncuar manipulimin e pretenduar të zgjedhjeve, gazetares së Euronews, Sara Demushi, i është kapur me forcë mjeti i identifikimit i akreditimit për Samitin e Komunitetit Politik Evropian nga zyrtari i PD-së, Edi Paloka. Ky konfrontim fizik, së bashku me fyerjet dhe pengimin e regjistrimit nga zyrtarë të tjerë të partisë, ka nxitur armiqësi nga protestuesit ndaj gazetarëve, duke detyruar disa prej tyre, përfshirë edhe Demushin, të largohen për arsye sigurie.

Për këtë arsye, organizatat e MFRR dhe Rrjeti SJN u bëjnë thirrje autoriteteve shqiptare të garantojnë hetime të shpejta, gjithëpërfshirëse dhe të pavarura për të gjitha rastet e raportuara të dhunës, frikësimit dhe pengesave ndaj gazetarëve, si nga zyrtarë publikë ashtu edhe nga individë privatë.

Në vijim të zgjedhjeve, MFRR dhe SJN i bëjnë thirrje administratës së rizgjedhur të Partisë Socialiste të ndërmarrë hapa konkretë për të forcuar lirinë e shtypit në Shqipëri dhe u kërkojnë të gjitha partive politike të përmbahen nga ndërhyrjet në punën gazetareske dhe të dënojnë publikisht çdo formë armiqësie ndaj medias.

 

Nënshkruar nga:


Media Freedom Rapid Response (MFRR)

European Federation of Journalists (EFJ)
Free Press Unlimited (FPU)
International Press Institute (IPI)
Osservatorio Balcani Caucaso Transeuropa (OBCT)
European Centre for Press and Media Freedom (ECPMF)

 

Rrjeti SafeJournalists (SJN)

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës
Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë
Shoqata e Gazetarëve të Bosnjë-Hercegovinës
Shoqata e Gazetarëve të Kroacisë
Shoqata e Pavarur e Gazetarëve të Serbisë
Sindikata e Medias së Malit të Zi