SJ: Fyerje dhe kërcënime seksiste ndaj gazetareve në Serbi

SJ: Fyerje dhe kërcënime seksiste ndaj gazetareve në Serbi

Pas publikimit të një artikulli për një shtëpi të dyshuar të paligjshme për të moshuarit në portalin Kurir.rs, autorja e artikullit dhe redaktorja kanë marrë kërcënime me vdekje nëpërmjet telefonit nga pronari i objektit dhe vëllai i tij. Rasti është raportuar në polici dhe në Grupin e Përhershëm Punues për Sigurinë e Gazetarëve në Serbi.

Më 1 gusht, Kurir publikoi një artikull për shtëpinë e paligjshme të të moshuarve me emrin “Royal”, ku thuhej se kushtet e jetesës për banorët, si dhe kushtet e punës për punonjësit, janë të këqija dhe se objekti nuk ka licencë të përshtatshme pune. Siç ka thënë editoriali i Kurir, pronari i objektit i ka mohuar ato akuza, por nuk e ka ofruar asnjë provë. Në vend të kësaj, më 1 dhe 2 gusht, së bashku me vëllain e tij, ai ngacmoi dhe kërcënoi me telefon gazetaret, duke iu referuar lidhjeve në partinë në pushtet.

“Unë nuk jam dikush nga rruga, për të mohuar akuzat, ju e dini se si zgjidhet kjo- në kohë të caktuar, në vend të caktuar, ballë për ballë. A e dini se çfarë do të thotë kjo?… Ne jemi tani pjesë e sistemit, ne mbështesim partinë në pushtet”, citohet të ketë thënë ndër të tjera, F. J, pronari i objektit për redaktoren e Kurir, ndërsa vëllai i tij vazhdonte të fliste në sfond: “Ti k***e, je një k***e, do të të padisim. Unë jam një person me imunitet politik, mund të shaj dhe të bëj çfarë të dua!”.

Kryeredaktori i Kurir, Rajko Nedic tha për rrjetin SJ se grupi mediatik Adria, si botues i Kuririt, pret ndjekje dhe dënim të menjëhershëm të personave që kërcënuan gazetaret.

“Dënimi i paraparë për rrezikim të sigurisë duke kërcënuar gazetarët është nga gjashtë muaj deri në pesë vjet burgim dhe gjyqësori në Serbi pritet ta zbatojë këtë rregullore. Adria Media Group dhe gazeta Kurir do të vazhdojnë të përpiqen të hetojnë dhe publikojnë fakte me interes publik, siç është rasti i një shtëpie të paligjshme për të moshuarit, për këtë arsye janë bërë kërcënime ndaj gazetarëve tanë dhe gazetarët tanë nuk do të tërhiqen nga fytyrat e arrogancës dhe krimit, pa marrë parasysh se nga kush vjen”, tha Rajko Nedic.

Rrjeti SafeJournalists, i cili përfaqëson më shumë se 8 mijë 200 profesionistë të medias në Ballkanin Perëndimor, dënon kërcënimet ndaj gazetareve të Kurir, dhe e konsideron shqetësues faktin që personat që i bëjnë këto kërcënime ndihen të sigurt sepse janë të lidhur dhe kanë lidhje të ngushta me partitë politike. Gjithashtu, ju kujtojmë të gjithëve se është e papranueshme të ofendohen dhe nënçmohen gazetaret në bazë gjinore.

Rrjeti SJ u bën thirrje institucioneve kompetente në Serbi që urgjentisht të marrin të gjitha masat që personat që kanë kërcënuar gazetaret të ndiqen penalisht dhe të dënohen.

Çdo sulm ndaj gazetarëve është sulm ndaj interesit publik, demokracisë dhe të drejtave të të gjithë qytetarëve.

Prishtinë – Shkup – Sarajevë – Zagreb – Beograd – Podgoricë – Tiranë, 3 gusht 2022

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës

Asociacioni i Gazetarëve të Maqedonisë

Asociacioni i Gazetarëve të BH

Asociacioni i Gazetarëve Kroatë

Asociacioni i Pavarur i Gazetarëve të Serbisë

Sindikata e Mediave të Malit të Zi