SJ: Kërkojmë një vendim urgjent të gjykatës për sulmet ndaj gazetarëve

Më 16 shkurt gjatë xhirimit të reportazhit nga shkolla fillore “Naim Frashëri” në zonën e Gostivarit, një person sulmoi verbalisht dhe më pas fizikisht gazetarin Nevri Ademi dhe kameramanin Zbulim Maksuti. Sipas gazetarit Nevri Ademi, B.E. fillimisht ka nisur me ofendime dhe kërcënime verbale, e më pas ka kapur nga koka një gazetar dhe e ka shtyrë poshtë shkallëve të shkollës. Ademi shtoi: “Zbriti në oborrin e shkollës dhe filloi të na ndiqte me sëpatë. Shpejt hipëm në veturë dhe u drejtuam për në stacionin policor për të raportuar sulmin dhe sulmuesi na ka ndjekur gjatë gjithë kohës me veturën e tij deri në fshatin Negotinë të Gostivarit”. Policia ka reaguar me shpejtësi dhe ka arrestuar autorin.

Dragan Sekulovski, drejtor ekzekutiv i Asociacionit të Gazetarëve të Maqedonisë, tha se ky është një nga sulmet më të rënda që AGM ka regjistruar së fundmi dhe se mbyllja e shpejtë e rastit është e domosdoshme. “Sulme të tilla agresive ndaj ekipeve gazetareske duhet të sanksionohen menjëherë nga autoritetet gjyqësore në përpjekje për të parandaluar situata të ngjashme në të ardhmen në të cilat mund të dëmtohen gazetarët dhe operatorët e kamerës”, tha Sekulovski.

Rrjeti SafeJournalists, që përfaqëson më shumë se 8200 profesionistë të medias në Ballkanin Perëndimor, solidarizohet me kolegët nga Maqedonia e Veriut dhe dënon fuqishëm këtë sulm. Ne e mirëpresim faktin që autoritetet reaguan me shpejtësi dhe presim transparencë të plotë nga autoritetet për këtë rast. Shpresojmë që autoritetet do ta kryejnë të gjithë procedurën me shpejtësi dhe do ta ndëshkojnë përgatitësin në mënyrë adekuate.

Rrjeti SafeJournalists do të informojë të gjithë akterët relevant kombëtarë dhe ndërkombëtarë për këtë rast.

Çdo sulm ndaj gazetarëve është sulm ndaj interesit publik, demokracisë dhe të drejtave të të gjithë qytetarëve.

 

Shkup – Beograd – Podgoricë – Prishtinë – Sarajevë – Zagreb, 17 shkurt 2022

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës

Asociacioni i Gazetarëve të Maqedonisë

Asociacioni i Gazetarëve të BH

Asociacioni i Gazetarëve Kroatë

Asociacioni i Pavarur i Gazetarëve të Serbisë

Sindikata e Mediave të Malit të Zi