Të premten e kaluar, më 1 korrik, gjatë një konference për shtyp me gazetarë, Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama i tha Klevin Mukës, gazetar i stacionit televiziv A2 CNN (degë e CNN në Shqipëri) se nuk lejohet të marrë pjesë në asnjë konferencë tjetër për shtyp të Kryeministër për tre muajt e ardhshëm dhe se duhet të dërgohet në “riedukim” për atë që Rama e konsideron sjellje joetike nga ana e gazetarit.
Klevin Muka pyeti ministren Olta Xhaçka për konfliktin e saj të interesit si ministre me bashkëshortin e saj si investitor strategjik i qeverisë shqiptare në sektorin e turizmit. Rama nuk e la Ministren të përgjigjej, përkundrazi e cilësoi publikisht gazetarin si të pamirpritur në konferencat e rradhës.
Përfaqësuesja e Rrjetit të Gazetarëve të Sigurt në Shqipëri Blerjana Bino shpjegoi se është hera e dytë që Rama vepron në këtë formë me gazetarët gjatë konferencave për shtyp kur nuk i pëlqen pyetja.
“Kryeministri ia mohoi gazetarit të drejtën për të marrë një përgjigje adekuate për një pyetje me interes publik. Pyetja e Kelvinit, nëse do t’i jepej përgjigje, do t’i kishte lënë ministres Xhaçka dhe kryeministrit një dritare për të hedhur dritë mbi çështjen e konfliktit të interesit dhe do t’i jepte publikut më shumë transparencë për çështjen në fjalë. Në vend të kësaj edhe një herë tjetër, kryeministri zgjodhi arrogancën ndaj transparencës dhe mbylljen e derës për gazetarët, veçanërisht ata të mirë”, tha Blerjana Bino për këtë rast.
Bino shprehu shqetësim edhe për mungesën e solidaritetit të gazetarëve gjatë konferencës.
“Megjithatë, tani komuniteti i medias dhe organizatat e pavarura dhe OSHC-të po mblidhen krah Klevin në një përpjekje për të mbështetur gazetarinë kritike dhe cilësore të pavarur. Na duhet patjetër më shumë solidaritet mes gazetarëve në Shqipëri dhe aleanca më të gjera për lirinë e medias”, përfundoi Bino.
Rrjeti SafeJournalists, që përfaqëson më shumë se 8 mijë e 200 profesionistë të medias në Ballkanin Perëndimor, e dënon ashpër sjelljen e Kryeministrit të Shqipërisë. Politikanët duhet të ndalojnë së akuzuari gazetarët për “sjellje joetike” kur atyre nuk u pëlqejnë pyetjet. I rikujtojmë se janë të obliguar t’u përgjigjen të gjitha pyetjeve me interes publik, e jo t’i refuzojnë përgjigjet.
Çdo sulm ndaj gazetarëve është sulm ndaj interesit publik, demokracisë dhe të drejtave të të gjithë qytetarëve.
Prishtinë – Shkup – Sarajevë – Zagreb – Beograd – Podgoricë – Tiranë, 4 korrik 2022
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës
Asociacioni i Gazetarëve të Maqedonisë
Asociacioni Gazetarëve të Bosnjes dhe Herzegovinës
Asociacioni Gazetarëve Kroatë
Asociacioni i Gazetarëve të Pavarur të Serbisë
Sindikata e Mediave të Malit të Zi