Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK, është njoftuar nga autorët dhe gazetarët e emisionit “Kiks Kosova” në Klan Kosova, për gjuhën denigruese dhe kërcënuese që drejtori i Financave në Telekomin e Kosovës, Feim Kelmendi, ka përdorur ndaj ekipit të këtij televizioni.

Në një seri emailesh, Kelmendi i është referuar Klan Kosovës si “televizion i klanit kriminal Devolli”, dhe gazetarëve si “shërbëtorë të klanit kriminal”. AGK-ja vlerëson se gjuha e tillë është e papranueshme dhe shumë e rrezikshme.

Telekomi i Kosovës, si ndërmarrje publike e ka për obligim t’u përgjigjet gazetarëve dhe medieve për financat, kontratat dhe të tjera pyetje të interesit publik.

AGK-ja i bën thirrje Bordit dhe Drejtoreshës së këtij institucioni që të distancohen nga gjuha ofenduese dhe kërcënuese e zotit Kelmendi, dhe të kujdesen që ai dhe zyrtarë të tjerë të kryejnë punën e tyre duke ofruar informatat e nevojshme për mediet.