AGK-ja shënon Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit me moton “Protect Journalists, Defend the Truth”

0
47

Nën moton “Protect Journalists, Defend the Truth”, është mbajtur konferenca për shënimin e 3 Majit – Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, organizuar nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, me mbështetjen e dhënë nga Misioni i OSBE-së në Kosovë, Bashkimi Europian në Kosovë, dhe Ekipi i Kombeve të Bashkuara në Kosovë.

Konferenca filloi me thirrjen e organizatave partnere të eventit për një mjedis më të sigurt për gazetarët.

Në vitin 2022, në databazën e AGK-së janë regjistruar 33 raste të sulmeve të ndryshme ndaj gazetarëve, dhe deri në momentin që po flasim 11 të tilla në vitin 2023. Gjatë gjitë kësaj periudhe, ndaj gazetarëve dhe komunitetit medial ka pasur organizim fushatash të denigrimit dhe përdorimit të gjuhës së urrejtjes, që nxisin mosbesim të audiencave për punën e tyre. Një pjesë e këtyre fushatve vijnë nga zyret më të larta të pushtetit në Kosovë”, ka thënë kryetari i Bordit të AGK-së, Xhemajl Rexha.

Ai ka thënë se sulmi më i rëndë ishte ai ndaj gazetarit, Valon Syla. “Por, ajo që ka treguar sulmi ndaj tij, është ngirtja në këmbë edhe njëherë e një shoqërie të tërë për të treguar se në Kosovë liria e medias mbrohet. Se liria e shprehjes nuk negociohet”, tha Rexha.

Nëpërmjet një video-mesazhi, u adresua Ambasadori Michel Davenport – Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, i cili tha se në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, ështëkritike të kujtohet rëndëisa të medias së pavarur dhe të lirë.

“Misioni i OSBE-së dënon pa rezervë çdo përpjekje për të kërcënuar, poshtëruar ose ngacmuar gazetarët dhe punonjësit e medias në përgjithësi dhe do të vazhdojë të ofrojë mbështetje maksimale për profesionistët e medias.

Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomáš Szunyog, tha se edhe pse Kosova gëzon një mjedis medialë të larmishëm, sulmet fizike, kërcënimet dhe kampanjat urrejtje-nxitëse kundër gazetarëve, me theks te gazetaret, është ende shqetësuese.

Krahasuar me vitin 2021, një rritje e lehtë e sulmeve ndaj medieve është shënuar në vitin 2022, dhe fakti se deklaratat denigruese, gjuha e urrejtjes dhe gjuha intimiduese kundër gazetarëve e bërë nga zyrtarët publik, janë shqetësuese”, tha Szunyog.

Ai vlerësoi Kosovën për pritjen dhe strehimin e gazetarëve ukrainas dhe afganë, duke u zotuar për mbështetje të mëtejshme të BE-së dhe partnerëve të saj për zhvillimin e mediave të lira dhe profesionale si një shtyllë e demokracisë.

Të pranishmëve u adresua edhe Koordinatorja e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Arnhild Spence, e cila theksoi se kur liria e shtypit kërcënohet, kërcënohen të gjitha liritë e shoqërisë.

Gazetarët që prodhojnë informacion të besueshëm, na ndihmojnë të gjithëve të marrim vendime të informuara, një element i rëndësishëm i procesit demokratik. Ne duhet të bëjmë gjithçka që është e mundur për t’i mbrojtur ata dhe punën e tyre. Ne i bëjmë jehonë thirrjes së Raportuesit Special të OKB-së për Lirinë e Opinionit dhe Shprehjes, znj. Irene Khan, për të adresuar shkeljet e kaluara dhe aktuale kundër gazetarëve në Kosovë. Duke u kërkuar autoriteteve që të marrin masat e duhura për të siguruar llogaridhënie dhe për të promovuar përmirësime të mëtejshme në lirinë e shtypit”, tha Spence.

Konferenca vazhdoi me diskutimin e parë me temën “Siguria e gazetarëve gjatë raportimit”, e përbërë nga panelistët: Jehona Grantolli – Anëtare e Këshillit Prokurorial të Kosovës; Antigona Uka – Zyrtare për Komunikim në Gjykatën Supreme të Kosovës, Qendresa Bellagoshi – gazetare në Klan Kosova dhe Jelena Đorđević – gazetare në RTK.

Në këtë panel u diskuta nevoja e rritjes së dënimit të sulmeve dhe sulmuesve të gazetarëve e medieve, meqenëse gazetarët ende ndihen të pasigurtë për të raportuar, si shkak i rritjes së kërcënimeve, sulmeve, dhe mosndëshkimit të tyre. Institucionet kompetente u zotuan se do t’i trajtojnë me prioritet rastet e gazetarëve, dhe se do të bashkëpunojnë e jenë më transparent me AGK-në, gazetarët e mediet.

Pjesa e dytë e konferencës vazhdoi me transmetimin e rrëfimit të kameramanit, Albion Selitaj, i cili ishte arrestuar nga Policia e Kosovë, në shkurttë vitit të kaluar, përderisa po mbulonte drejtpërdrejt ndërhyrjen e Agjencisë Kosovare të Privatizimit për të marrë nën menaxhim zyrat e ndërmarrjes “AgroKosova Holding”.

Në pjesën e fundit është diskutuar për “Pozitën e gazetarëve në dhomat e lajmeve ndër vite”, me panelistët: Dafina Halili – gazetare në Kosovo2.0, Imer Mushkolaj – Drejtor Ekzekutiv në Këshilin e Mediave të Shkruara të Kosovës, Teuta Arifaj – redaktore në ATV, Valbona Bytyqi – gazetare në KTV, dhe Naim Sadiku – Anëtar i Bordit të AGK-së.

Në këtë panel u diskutua për disa nga problemet me të cilat fatkeqësisht ende përballen gazetarët e që janë si orari, pagesa, kontratat e punës, pagesa e kontributeve, e të tjera. Krahas këtyre, si problem mjaft shqetësues u përmend edhe pozita e grave në redaksi, si dhe ngacmimet seksuale ndaj tyre. U theksua nevoja e unitetit të gazetarëve që t’i raportojnë sa më shumë problemet që kanë në punë, si dhe përkrahje më e madhe në adresimin e këtyre cështjeve.