Certifikimi i gazetarëve të Akademisë për Integritetin e Informacionit

0
7

Prishtinë – 18 Korrik 2024 – Gazetarët e Akademisë për Integritetin e Informacionit u certifikuan pas përfundimit me sukses të gjashtë moduleve dhe vizitës studimore, projekt ky i NDI Kosovo, e mbështetur nga USAID Kosovo, në partneritet me Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës.

Nancy Soderberg, Drejtore e Lartë Rezidente, NDI Kosova hapi ngjarjen me një fjalim urimi, duke theksuar arritjet e pjesëmarrësve.

Sot, ne njohim jo vetëm punën tuaj të palodhur dhe përkushtimin, por edhe të ardhmen e ndritur që përfaqësoni për fushën e gazetarisë“, tha ajo.

Ajo shtoi më tej për rëndësinë e programit të trajnimit me gjashtë module që pajisi gazetarët e rinj me aftësi të rëndësishme për peizazhin modern të medias.

“Ndërsa vazhdoni rrugën tuaj në karrierë, mbani mend se roli juaj si gazetarë nuk është vetëm të informoni por të frymëzoni, të edukoni dhe të sillni ndryshime pozitive. Sot, ne festojmë ndikimin e jashtëzakonshëm që do të keni në botë si gazetarë të përkushtuar ndaj integritetit dhe së vërtetës,” shtoi ajo.

Xhemajl Rexha, Kryetari i AGK-së, shprehu vlerësimin e vazhdimit të akademisë për vitin e dytë.

“Jemi të lumtur që po vazhdojmë akademinë për vitin e dytë radhazi. Këto trajnime kanë qenë të vlefshme, veçanërisht duke pasur mundësinë për të fituar njohuri nga trajnerë vendas dhe ndërkombëtarë”, theksoi ai.

Pas fjalimeve, 15 gazetarë u certifikuan për përfundimin e Akademisë për Integritetin e Informacionit.

Ngjarja vazhdoi me Konferencën “Hapësira për Gazetarët e Rinj në Media,” e moderuar nga Florandë Morina, redaktore njëherësh Anëtare e Bordit të AGK-së.

Paneli përfshinte Getoarbë Mulliqi, Drejtore Ekzekutive dhe Hulumtuese në AGK, Selamir Qerimi, gazetar, Agnesa Qorri, gazetare e pavarur dhe pjesëmarrëse e Akademisë për Integritetin e Informacionit, si dhe Naim Kryeziu, gazetar.

Gjatë konferencës, Qorri theksoi rëndësinë e angazhimit të vazhdueshëm në trajnime si gjatë ashtu edhe pas arsimimit formal. Ajo theksoi se pjesëmarrja në programet e trajnimit të realizuara nga AGK, duke përfshirë edhe Akademinë për Integritetin e Informacionit, i siguroi jo vetëm njohuritë më të fundit mbi integritetin e informacionit, por edhe mundësi për të rrjetëzuar me gazetarët e rinj.

Si gazetar i ri, Naim Kryeziu, kërkoi më shumë mundësi për gazetarët e rinj për të treguar talentet e tyre në profesionin e gazetarisë.

Në shoqërinë tonë, ku e vërteta është e vështirë për t’u besuar, është e vështirë të jesh gazetar, sidomos gazetar i ri“, tha Selamir Qerimi.

Getoarbë Mulliqi prezantoi të dhëna nga rrjeti SafeJournalists, duke theksuar se mosha mesatare e gazetarëve në Kosovë është më e reja në rajon.

Ngjarja përfundoi me nënshkrimin e memorandumeve të bashkëpunimit me shtatë gazetarë të mediave lokale në Kosovë, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt forcimit të gazetarisë lokale.