DASh publikon Raportin për të Drejtat e Njeriut për vitin 2022

0
126

Departamenti i Shtetit të ShBA-ve ka publikuar sot raportet për të Drejtat e Njeriut për vitin 2022.

Në pjesën për Lirinë e Shprehjes në Kosovë, raportohet se Liria e Shprehjes është respektuar në përgjithësi, por që ka pasur tentime për frikësim të gazetarëve dhe udhëheqësve të medieve nga politikanë, persona publikë, biznese dhe grupe fetare.

Raportet kredibile theksuan se disa zyrtarë publikë, politikanë, biznese dhe grupe fetare u përpoqën të frikësonin përfaqësuesit e medieve. Problemet e financimit gjithashtu dobësuan pavarësinë e medieve. Gazetarët hasën në vështirësi në marrjen e informacioneve nga qeveria dhe institucionet publike, pavarësisht nga ligjet që garantojnë qasje në dokumente publike.”, thuhet fillimisht në raport.

Departamenti amerikan i Shtetit citon edhe Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës, për sulmet në drejtim të gazetarëve gjatë raportimit në veri të Kosovës, arrestimin e kameramanit, Albion Selitaj, nga Policia e Kosovës, si dhe sulmet kibernetike ndaj medieve.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës deri në muajin dhjetor, ka raportuar 29 raste të sulmeve, kërcënimeve verbale ndaj gazetarëve ose sulmeve kibernetike në drejtim të medieve nga zyrtarët qeveritarë, liderëve politikë, stafi gjyqësor, grupeve të biznesit e atyre fetare. Në dhjetor, Reporterët pa Kufij i bënë thirrje policisë dhe forcave të sigurisë që të ofrojnë mbrojtje më të mirë për gazetarët që raportuan nga veriu i Kosovës, pas sulmeve që ndodhën ndaj gjashtë ekipeve mediatike mes 15 nëntorit dhe 19 dhjetorit. Në muajin shkurt, policia arrestoi kameramanin e agjencisë së lajmeve Ekonomia Online, Albion Selitaj, teksa ai ishte duke xhiruar një aksion policor në Suharekë. Selitaj u lirua pas hetimeve të bëra. Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës kritikoi policinë për sjellje joprofesionale e që cenonte lirinë e shprehjes.

Në raport gjithashtu është evidentuar edhe kampanjat urrejtje-nxitëse në drejtim të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, pas reagimeve në mbrojtje të disa gazetarëve e medieve.

Raportin e plotë mund ta lexoni në këtë link.