Dy raste të pengimit të punës së gazetarëve nga mbrojtja e afërt e Kryeministrit Kurti dhe Ministres Rizvanolli

0
60

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është i shqetësuar pas denoncimit të gazetarit, Kosovë Gjoci, të Euronews Albania për pengimin në punë nga mbrojtja e afërt e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Gjoci ka njoftuar se dy individë nga mbrojtja e kanë penguar në punë – njëri e ka shtyrë duke ia dëmtuar pajisjet, kurse tjetri e ka kërcënuar me fjalët “këqyrem mirë në sy e mbajmë në mend”.

Sipas gazetarit Gjoci, kryeministri Kurti e ka parë skenën dhe nuk ka reaguar, që e bën rastin edhe më të rëndë.

Ngjashëm, para disa ditësh gazetarja e Periskopit, Besarta Hoti, u pengua në përpjekjet për të bërë pyetje për Ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

AGK-ja, i konsideron këto veprime të papranueshme dhe i bën thirrje qeverisë dhe dikastereve të saj të mundësojnë kushte elementare të punës për gazetarët kur raportojnë dhe kërkojnë përgjigje nga anëtarë të ekzekutivit.