EFJ: Vendet tjera ta ndjekin shembullin e Kosovës

0
104

Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ) e ka përshëndetur sot ardhjen në Kosovë të gazetares së parë ukrainase, Lyuidmila Makay.

Sekretari i Përgjithshëm i kësaj organizate, Ricardo Gutiérrez, ka thënë se shtete e tjera evropiane duhet ta ndjekin shembullin e Kosovës.

“Oferta e Qeverisë së Kosovës është përgjigja më e mirë për agresorin rus, i cili po mundohet të imponojë terror duke i targetuar gazetarët në Ukrainë, dhe duke zbatuar cenzurë të papredecent në Rusi. Gazetarët ukrainas duhet të vazhdojnë të bëjnë punën e tyre, në mënyrë që ta informojnë publikun. EFJ u bënë thirrje qeverive të tjera evropiane ta ndjekin shembullin e Kosovës: t’u japin strehë gazetarëve të kërcënuar ukrainas, në mënyrë që ta vazhdojnë punën e tyre në ekzil. Mos e lejoni Kremlinin që të imponojë heshjten përtej kufijve. E falënderojmë përzemërsisht Kosovën që e hapi rrugën në këtë aspekt”, ka thënë Gutiérrez.

Qeveria e Republikës së Kosovës në mars të këtij viti mori vendim për ndarjen e mjeteve buxhetore në vlerë prej 150 mijë eurove në emër të pranimit 20 gazetarëve ukrainas në Kosovë, në kohën kur Ukraina po përballet me agresionin rus.

Për t’i identifikuar dhe pranuar gazetarët nga Ukraina, u angazhua Qendra Europiane për Liri të Shtypit dhe Medias (ECPMF) dhe Federata Europiane e Gazetarëve (EFJ), përmes programit “Journalists-in-Residence Kosovo“.

Programi është duke u zbatuar nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës me mbështetjen e dy unioneve të gazetarëve në Ukrainë.