Fjalimi i Bordit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës para Kuvendit të Republikës së Kosovës, në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit

0
180

Të nderuar kolegë gazetarë,

Të nderuar të pranishëm,

Edhe pse në rrethana të jashtëzakonshme, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës me mbështetjen e Misionit të OSBE-së, Ekipin e Kombeve të Bashkuara dhe Misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, edhe sivjet shënon 3 majin – Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, me qëllim që bashkërisht të reflektojmë për gjendjen e lirisë së shtypit dhe etikën profesionale.

Kjo datë, edhe kësaj here kolegët tanë gazetarë i gjen në betejë me pandeminë COVID-19, duke rikonfirmuar rolin fisnik e shumë të rëndësishëm të profesionit tonë. Edhe sot, AGK ua rikujton institucioneve detyrimin në respektimin e fjalës së lirë dhe krijimin e një ambienti të sigurt e demokratik, me liri të garantuar e të pacenueshme për të ushtruar këtë profesion.

Nga viti në vit shtohen atakimet e formave të ndryshme në drejtim të gazetarëve. Cenzura, vetëcenzura e varshmëria financiare e medias vazhdojnë të ndikojnë në të bërit e gazetarisë objektive.

Nga ana tjetër, zvarritja e rasteve gjyqësore të sulmeve ndaj gazetarëve dhe dënimet simbolike – për të mos thënë qesharake, vazhdojnë të mbeten pengesat kryesore në ushtrimin e profesionit. Madje, dënimet që shqiptohen ne këto raste konsiderohen inkurajuese për keqbërësit.

Në adresë të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës edhe sivjet është rritur numri i rasteve të raportimit për pengim në punë, ofendime, shantazhe e forma tjera të presionit mbi kolegët tanë gazetarë.

Prandaj, ne vazhdojmë t’i përsërisim thirrjet tona karshi institucioneve relevante që t’i bashkojmë forcat në luftimin e dukurive që kanë për qëllim pengimin e punës së gazetarëve dhe demotivimin në përmbushjen e misionit, që është informimi i drejtë për të gjitha zhvillimet me interes publik.

Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, AGK në bashkëpunim me akterët e saj mbështetës e shënon nën moton “BLACKOUT MAY”, që nënkupton atë se si do të dukej një ditë pa media në Kosovë.

Aktivitetet e ditës së sotme kanë për qëllim avokimin për lirinë e medieve dhe për krijimin e një ambienti të lirë e të papenguar të ushtrimit të profesionit, që gazetarët të kenë qasje të pakufizuar në informata dhe në dokumente zyrtare, gjë që garantohet me ligj, gjithashtu për t’i përkujtuar të gjithë kolegët tanë të vrarë dhe të pagjetur gjatë dhe pas luftës në Kosovë, me kërkesën drejtuar organeve të drejtësisë se e vërteta duhet të ndriçohet.

Përgjatë gjithë ditës do të keni mundësi t’i shihni adresimet e akterëve vendorë e ndërkombëtarë, të cilët gjithmonë jo vetëm që kanë bërë thirrje për lirinë e medieve dhe sigurinë e gazetarëve, por që pa asnjë hezitim kanë përkrahur AGK-në në secilën nismë për tu siguruar gazetarëve dhe medieve lirinë që iu garantohet me ligj.

Pas kësaj konference, nga ora 12:00 ju ftojmë të na bashkoheni në tryezën e diskutimit (virtuale & me prani fizike) mbi lirinë e medieve dhe sigurinë e gazetarëve ku do të marrin pjesë ambasadorë, përfaqësues relevantë të medieve dhe të shoqërisë civile.