OSBE në Shqipëri – Forumi i Zhvillimit të Medias, i titulluar “Udhërrëfyesi për Lirinë e Medias”

0
99
Source/Author: SJ
Source/Photo: Osce in Albania
Ditën e sotme, OSCE ne Shqiperi, mblodhi përfaqësues të medias, institucioneve shtetërore dhe shoqërisë civile për të shumëpriturin Forumin IX vjetor për Zhvillimin e Medias, i cili u zhvillua me temën “Udhërrëfyes për lirinë e medias: Krijimi i rrugës për më tepër mbrojtje të gazetarëve, pavarësi dhe integritet të medias”.
Forumi i sivjetshëm u përqendrua në disa tema kryesore, sikurse politika e medias dhe kuadri legjislativ në bazë të të cilit veprojnë institucionet publike që rregullojnë veprimtarinë e medias, sigurinë e gazetarëve dhe efektet transformuese të inteligjencës artificiale në mjedisin mediatik të vendit. Vëmendje thelbësore iu kushtua edhe përmbushjes prej autoriteteve shqiptare të standardeve të Bashkimit Evropian në lidhje me median dhe lirinë e shprehjes.
Gjatë fjalës së hapjes, Ambasadori Bruce Berton, Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, theksoi angazhimin e Prezencës për kauzën e lirisë së medias në vend. “Është thelbësore që mediave t’u ofrohen mjetet dhe politikat institucionale për t’i ndihmuar ato që të lundrojnë në një mënyrë të përgjegjshme dhe etike në ekosistemin e informacionit që ndryshon me shpejtësi. Në përputhje me parimet e OSBE-së, të cilat qeveria është angazhuar që t’i zbatojë si një nga 57 shtetet tona pjesëmarrëse, institucionet publike shqiptare duhet t’i krijojnë medias hapësirën e nevojshme që të funksionojë pa pengesa. Për këtë arsye, i nxisim autoritetet që të kenë parasysh ruajtjen e ekuilibrit dhe të peshojnë me kujdes të drejtën për shpërndarjen e informacionit që është i rëndësishëm për publikun. Faktet duhen lënë gjithmonë të dalin në dritë, madje edhe ato që bëjnë thirrje për mbajtjen e përgjegjësisë apo që zbulojnë abuzime a korrupsion,” tha ai.
Merrnin pjesë në këtë takim edhe Adea Pirdeni, Zv.ministrja e Drejtësisë, Teresa Ribeiro, Përfaqësuesja e OSBE-së për Lirinë e Medias (online), Ambasador Luigi Soreca, I ngarkuar me punë ad interim, Delegacioni i BE-së në Shqipëri, dhe Giulia Re, Kryetarja e Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë. Në fjalimet e mbajtura në këtë tryezë ata theksuan mbështetjen e tyre ndaj lirisë së shtypit dhe komunitetit të medias në vend, si dhe rëndësinë e diskutimeve të Forumit lidhur me këto tema.
Diskutimet e frytshme gjatë Forumit u përqendruan në rëndësisë thelbësore të transparencës, aksesit në informacion dhe verifikimit të fakteve si mjete të fuqishme në luftën kundër korrupsionit dhe në përparimin e gazetarisë profesionale.

Në konferencë, Dr. Blerjana Bino, kerkuese e Safe Journalists, theksoi rekomandimet kyçe të Indeksit të Sigurisë së Gazetarëve. Ajo vuri në dukje:
– Zero tolerancë për sulmet ndaj gazetarëve.
– Nevojë për mekanizma specifike për mbrojtjen e gazetarëve dhe punonjësve të medias që po përballen me kërcënime.
– Hetime efikase dhe protokolle duke përfshirë edhe ato për sulmet kibernetike.

Dr. Bino gjithashtu theksoi se qeveria duhet të tregojë vullnet politik për të përmirësuar lirinë e medias duke krijuar një dialog transparent, përfshirës dhe përgjegjës. Është e rëndësishme që të gjithë aktorët të bashkohen dhe të intensifikojnë përpjekjet e tyre për garantimin e sigurisë së gazetarëve dhe lirisë së medias.