Gazetarë të rinj trajnohen se si të raportojnë për dhunën në baza gjinore

0
31

Studentë dhe gazetarë të rinj të premten dhe të shtunën që lamë pas, u trajnuan se si të luftojnë dhunën në baza gjinore nëpërmjet raportimit të përgjegjshëm.

Pjesëmarrësve i ligjëroi gazetarja njëherësh aktivistja e zëshme, Leonida Molliqaj, për konceptet bazë të barazisë gjinore, gazetarinë feministe, portretizimin e grave në medie, dhunën në baza gjinore, rolin dhe përgjegjësinë e medieve në luftimin e dhunës në baza gjinore, dhe se si të raportohet me perspektivë gjinore.

Ata gjithashtu analizuan rastet e raportimeve për dhunën në baza gjinore, si dhe shkëmbyen përvojat personale të raportimit për këto raste.

Trajnimi Luftimi i Dhunës në Baza Gjinore nëpërmjet raportimit të përgjegjshëm u mbajt në kuadër të projektit “Luftimi i Diskriminimit, Gjuhës së Urrejtjes dhe Dhunës në Baza Gjinore”, të mbështetur financiarisht nga Bashkimi Evropian.

Në kuadër të këtij projekti që po implementohet nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës në bashkëpunim të ngushtë me ATRC-në, tetë nga gazetarët pjesëmarrës së këtij trajnimi do të shkruajnë nga një artikull për dhunën në baza gjinore, si dhe do të publikohet një udhëzues për gazetarë dhe medie se si duhet të raportohet përgjegjshëm për këtë temë.

‘Ky botim është prodhuar me përkrahjen financiare të Bashkimit Evropian në kuadër të projektit “Luftimi i Diskriminimit, Gjuhës së Urrejtjes dhe Dhunës në Baza Gjinore”. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e ATRC, IKS, D4D dhe AGK, dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian’;