Karikaturat e Ekspozitës për Lirinë e Medias i dhurohen Departamentit të Gazetarisë në UP

0
12

Të premten e kaluar, në ditën e fundit të misionit të saj në Kosovë, Ambasadorja e Holandës, Carin Lobbezzo, së bashku me Drejtoren Ekzekutive të AGK-së, Getoarbë Mulliqi, dhuruan karikaturat e Ekspozitës për Lirinë e Medias për Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës.

Lobbezzo dhe Mulliqi u mirëpritën nga Shefi i Departamentit të Gazetarisë, Muhamet Jahiri, profesorët Alban Zeneli e Arben Fetoshi, si dhe anëtarë të tjerë të stafit akademik.

Karikaturat që u ekspozuan në Lapidarimuin e Muzeut Kombëtar nga 29 prilli deri më 3 maj, në nder të shënimit të Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, gjenden të ekspozuara në hapësira të ndryshme në kuadër të departamentit, përfshirë sallat e mësimit dhe të praktikës.

Kujtojmë se kjo ekspozitë u realizua në kuadër të konkursit për karikatura të Ballkanit Perëndimor. Nga gjithsej 186 aplikime të 96 artistëve nga Shqipëria, Kosova, Bosnje dhe Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, u përzgjodhën 44 karikatura.

Vendin e parë e kishte fituar Dusan Petricic nga Serbia, teksa vendin e dytë, kolegu nga Maqedonia e Veriut, Armend Ajredini.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës falënderon Ambasadoren Lobbezzo për bashkëpunimin e jashtëzakonshëm në adresimin e respektimit të të drejtave të njeriut, me theks në lirinë e medias dhe gazetarëve, si dhe respektimin e lirisë së shprehjes.