Kërcënohen me jetë gazetarja dhe kameramani i “Betimi për Drejtësi”

0
79

Gazetarja, Alberta Hashani dhe kameramani, Dituron Aliu, janë kërcënuar me jetë përderisa ishin duke e zhvilluar një hulumtim që pritet të publikohet në muajin shtator.

Sipas redaksisë së “Betimi për Drejtësi”, gazetarja dhe kameramani janë kërcënuar me jetë nga një shitës i mallrave ilegale.

Raportohet se fillimisht kameramanit i është dërguar mesazh kërcënues, duke i thënë se i ka borxh një gjak.

“Komt.qet..shum.shpet.umk.pre.bes.um.ki.borq.ne.qak”, thuhet në mesazh.

Ndërsa, më pas i njëjti ka telefonuar gazetaren duke u shprehur se atë se bashku më kameramanin do i fur në bander.

“Unë ty ka me të gjete edhe atë djalin, ka me iu fur në tel në bander, ka me iu fur. A po ninë, a po ninë o idiota”.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është thellësisht i shqetësuar me këtë raportim të kolegëve, dhe fton Policinë e Kosovës dhe organet e drejtësisë që të trajtojnë rastin sa më parë.