Këshilli i Medias: Raportimi i ngjarjes së Korçës shkeli kodin e etikës së gazetarit

0
20

Në 2 maj, lajmi se një grua kishte vendosur foshnjën e porsalindur në një valixhe duke shkaktuar vdekjen e saj tërhoqi vëmendjen e mediave shqiptare.

Intervistimi i familjarëve, dyshimet për shëndetin mendor të nënës dhe raportimi i vazhdueshëm nëse fëmija kishte lindur apo ishte abortuar vijoi edhe për ditë të tjera nga mediat, duke sjellë detaje personale të familjes.

Po ashtu, ndjekja nga pas e nënës së 40-vjeçares nga gazetarët pa dëshirën e saj u kritikua nga vetë rrethi i gazetarëve si shkelje të etikës gazetareske.

Mbulimin e kësaj ngjarjeje nga mediat, Këshilli Shqiptar i Medias  (KSHM) e ka konsideruar si një rast të rëndë sa i përket raportimit etik.

Sipas reagimit të KSHM-së raportimi i kryer nga gazetarët në këtë rast ka shkelur disa nene të kodit të etikës.

Së pari, etika e kërkon që në rastet e ngjarjeve të rënda media të mos sensacionalizojë vdekjen apo brutalitetin. (Neni 11 i Kodit të Etikës së Gazetarit Shqiptar). Në rastin e Korçës, disa media nuk e respektuan këtë duke ofruar detaje makabre të ngjarjes të cilat nuk ka pse të jenë pjesë e interesit publik”, -thuhet në reagimin e KSHM-së.

Po ashtu ndërhyrja në mënyrë jo etike në jetën private të familjarëve, duke mos respektuar dinjitetin e familjarëve për arsye të sensacionit, është një tjetër shkelje e nenit 9 dhe 12 të kodit të Etikës së Gazetarit, shprehet Këshilli i Medias.

“Së treti, disa media raportuan në mënyrë jo-profesionale për sëmundjen e shëndetit mendor të njërit prej protagonistëve, duke krijuar hapësirë për gjuhë urrejtjeje ndaj të prekurve nga sëmundje të shëndetit mendor”,-thuhet në përfundim të reagimit të KSHM-së.

Drejtuesi i Këshillit Shqiptar të Medias, Koloreto Cukali tha se për mënyrën se si është raportuar nga media kjo ngjarje nuk ka pasur ankimime pranë Këshillit.

Ankimime nuk ka patur, kam përshtypjen që shumicës së njerëzve nuk u bën më përshtypje dhe kjo është për të ardhur keq. Por shqetësues është dhe fakti që dhe një pjesë e gazetarëve që i bëjnë këto shkelje nuk janë të ndërgjegjshëm që po shkelin etikën”,-tha për Citizens Channel Cukali.