Kosova për herë të parë do të jetë nikoqirja e Federatës Evropiane të Gazetarëve për takimin vjetor të organizatës

0
83

Federata Evropiane e Gazetarëve për herë të parë do të mbajë takimin vjetor të organizatës në Kosovë, në maj të vitit 2024.

Vendimi në favor të Kosovës është marrë sot nga Bordi Ekzekutiv i EFJ-së, i cili shënon një moment historik të rëndësishëm për Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës, pasi që do të jetë bashkë organizatore e këtij takimi.

Kryetari i Bordit të AGK-së, Xhemajl Rexha, ka thënë se ky është një lajm jashtëzakonisht i mirë për organizatën që i besohet një organizim i tillë.

Është një moment i jashtëzakonshëm në historinë e re 20-vjeçare të AGK-së, që t’i besohet një organizim kaq i madh. Ne do të mirëpresim vitin e ardhshëm në Prishtinë qindra gazetarë nga mbarë Evropë, për të diskutuar çështje të rëndësishme që lidhen me sigurinë e gazetarëve në kontinentin tonë, dhe do të jetë mundësi edhe për të treguar mikpritjen e jashtëzakonshme për të cilën njihet shteti jonë.”, ka thënë Rexha.

Për këtë takim, ka folur edhe Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Evropiane të Gazetarëve, Ricardo Gutierrez, i cili ka thënë se me padurim po presin ta mbajnë takimin në Kosovë.

Bordi Ekzekutiv i EFJ-së, nuk e ka pasur vendimin e lehtë, pasi që përpara kishte dy kandidatë të jashtëzakonshëm: Shkupin dhe Prishtinën. Kjo e tregon vendosmërinë e kolegëve tanë në Ballkan për të punuar për kushte më të mira të punës dhe siguri më të madhe në një botë jostabile. Ne mezi po presim që ta mbajmë për herë të parë Takimin Vjetor të EFJ-së në Kosovë.”, ka thënë Gutierrez.