AGK monitoron gjykimin e kërcënimit ndaj gazetarit

AGK monitoron gjykimin e kërcënimit ndaj gazetarit

PRISHTINË, 23.10.2017 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës gjatë ditës së sotme ka monitoruar nga afër shqyrtimin gjyqësor ndërmjet ish-gazetarit Liridon Llapashtica dhe një ish-zyrtari të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë për çështjen penale të kanosjes.

Liridon LlapashtIca, i cili, në atë kohë ishte i angazhuar si gazetar në gazetën “Zëri”, më 14 shkurt të vitit 2014, e kishte denoncuar rastin në polici, ku sipas dëshmisë së tij, ai ishte thirrur në telefon nga zyrtari i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, në lidhje me një artikull të botuar në gazetën “Zëri”, me ç’rast edhe ishte kanosur.

Gjatë shqyrtimit të sotëm gjyqësor u tha fjala përfundimtare nga ana e prokurorit të çështjes, Menduhi Kastrati, nga ana e ish-gazetarit Liridon Llapashtica si palë e dëmtuar dhe nga ana e ish-zyrtarit të MTI-së si palë e akuzuar në këtë çështje penale. Vendimi për këtë rast do të merret më datën 26.10.2017

AGK inkurajon të gjithë mediet dhe gazetarët të cilët janë të përfshirë në konteste gjyqësore, konteste këto të cilat ndërlidhen drejtpërsëdrejti me punën e tyre profesionale ta informojnë Asociacionin e Gazetarëve të Kosovë, në mënyrë që kjo organizatë të mund t’i monitoroj dhe të raportoj për këto procese gjyqësore.

Konsiderojmë se monitorimi dhe raportimi i rasteve gjyqësore nga ana e AGK-së, në të cilat janë të përfshira mediet dhe gazetarët do të kishte impakt në rritjen e transparencës dhe llogaridhënies nga ana e institucioneve ligj-zbatuese në vend, si dhe do të kontribuoj në gjendjen e sigurisë së gazetarëve dhe kushteve të tyre të punës.